Pas një agjërimi që zgjati 11 vjet, Interi është ngjitur në majën e futbollit italian. Zikaltrit fituan titullin numër 19 nën drejtimin e Antonio Contes. Ai që hapi serinë e pabesueshme të sukseseve të Juventusit dhjetë vjet më parë, tani ka arritur të thyejë tabunë trengjyrëshe edhe në atë pjesë të Milanos që nuk shijonte suksese që nga koha e Mourinhos. I intervistuar nga gazetarët e programit të njohur, “Le Ienne”, Conte u shpreh:

“Është kënaqësi e madhe. Për mua, për tifozët dhe për klubin: ishte shumë mirë. Tani mezi pres të festoj me lojtarët. Unë interist? Bëhem tifoz i të gjitha skuadrave që drejtoj, gjithmonë ka qenë kështu. Tani unë po luftoj për Interin kundër gjithçkaje dhe të gjithëve”.

Nëse qëndron tek Interi, me siguri kështu do të ndodhë, Conte duhet të bëjë llogaritë edhe më një kundërshtar “idhnak”, siç është Jose Mourinho, i zyrtarizuar tashmë në krye të Romës.

“Kthimi i Mourinhos në Itali është një lajm i mirë për futbollin tonë. I uroj më të mirën, por jo kur të luajë kundër nesh. Përplasjet e së kaluarës? Ka një respekt të madh mes nesh. Ne jemi sqaruar dhe do të kthehemi në duel vetëm në fushë”.

Më pas Conte foli për Ronaldon dhe Lukakun, duke theksuar se sulmuesi belg i ka të gjithë mundësitë për të bërë gjëra të rëndësishme.

“Ronaldo është një kampion dhe ka një status ndryshe nga Romelu. Por belgu është gjithashtu një lojtar i shkëlqyer dhe i ka të gjitha mundësitë për të bërë diçka me të vërtetë të rëndësishme.”

I ngacmuar për interesin e mundshëm të Tottenhamit për të, trajneri puljez reagoi në këtë mënyrë: “Tani le të shijojmë “Scudetton”, më pas do të kemi kohë për të menduar për të ardhmen dhe për të bërë vlerësimet së bashku me presidentin dhe drejtuesit e tjerë. Ne do të marrim vendimin më të mirë për Interin.”