Ish-kryetari i Bashkisë së Përmetit, Dhimitër Nasi ka ndërruar jetë për shkak të COVID-19 duke shënuar kështu viktimën e parë në këtë qytet.

Nasi ka qenë kryebashkiaku i parë i Përmetit, i cili ka ushtruar detyrën përgjatë viteve 1992-1996 dhe u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare.

Prej 5 ditësh ai ishte i shtruar në spital, ndërkohë, e gjithë familja e tij është e infektuar me COVID, por deri tani pjesëtarët e tjerë nuk paraqiten në gjendje serioze.

Shqipëria numëron deri tani 250 viktima me COVID-19. Një ditë më parë pati 5 viktima dhe 152 raste të reja. Nga ana tjetër sot është shënuar dita me numrin më të lartë të të shëruarve. 148 qytetarë e kanë fituar betejën me COVID19 në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 4332 që nga fillimi i epidemisë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 148 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 19 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 39 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes. Ndërsa vijojnë të trajtohen edhe pacientë të dyshuar për COVID19, sipas protokolleve përkatëse.