“Golashënuesi më i mirë i Europës në vitin 2020, pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, vazhdon të injorojë kufijtë e moshës. Në kërkim të rekordeve, ai nuk stepet nga asgjë, madje as një largim nga Juventusi këtë verë. Ishte 22 tetori 2019.

Në një restorant torinez ndodheshin drejtuesit e Juventusit; Andrea Agnelli dhe Pavel Nedved; Gigi Buffon, Jorge Mendes, dhe natyrisht, Cristiano Ronaldo. Juve sapo kishte mposhtur Lokomotivën e Moskës në Ligën e Kampionëve (2-1). Por, as aroma e ushqimit dhe as gotat e një vere të shijshme të kuqe nuk arritën ta shmangnin zhgënjimin e CR7, i “heshtur” përballë rusëve.

Ishte një ndjenjë e përmbajtur zemërimi, që gjallëroi një Ronaldo të zjarrtë, i veshur i gjithë me të zeza. Njeriu që nuk i pëlqen të humbasë. Edhe pse Juve nuk kishte humbur atë natë, kishte treguar një performancë të zbehtë. Cristiano Ronaldo e urren skuadrën e tij, kur nuk është superiore.

Në kulmin e zhgënjimit, në ato momente, ai e imagjinon veten diku tjetër. Aty ku mund t’ia kuptojnë më mirë ambiciet. Aty ku do t’i jepen mjetet për të shkuar edhe më lart. Atje ku do ta dashurojë paarsyeshëm atë. Në Paris, për shembull.

Pista e PSG …. dobësuar nga Covid-19

Atë natë, shumë më vonë, portugezi ëndërroi një “Parc des Princes” të mbushur. CR7 e mendoi veten në një skuadër me Neymar dhe Mbappé, lojtar që e adhuron. Ai ëndërroi për një klub dhe një qytet ku u kurorëzua kampion evrope në vitin 2016 me Portugalinë.

Ai ëndërroi, zgjuar, për hapjen e një dere. Nasser al-Khelaïfi do të kishte qenë gati t’i jepte fletë të bardhë, për ta shkruar vetë shumën e parave, vetëm që Ronaldo të bëhej lojtar i PSG.

Por kohët kanë ndryshuar. Covid-19 i ka ridizenjuar fatet dhe të ardhmen. Edhe të klubeve më të mëdhenj. Rrethi i ngushtë i lojtarit i konsideroi shumë të mundshme shanset e CR7 për ta lënë Juventusin. Torino nuk është Madridi.

Torino nuk është Premier League. Torino fshihet pas maleve. Klubi mund të jetë i madh, por skuadra nuk është e madhe. CR7 nuk është i lumtur për këtë…