Lin Guisti

(Sa opozitarë mund të kenë votuar kundër raportit të komisionit të tyre hetimor për çështjen e Inceniratorëve?)

Në fund të tetorit 2021, Partia Socialiste pranoi kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen në Kuvend të komisionit hetimor për hetimin e “aferës së inceneratorëve”. Dhe kishin të drejtë ta quanin kështu, pasi pas dy muajsh, më 14 dhjetor, SPAK-u vendosi në pranga për këtë çështje ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Deputetët e shumicës dhe opozitës miratuan me 117 vota pro projektvendimin “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier”.

Në kërkesën e Partisë Demokratike thuhej se ky komision do të bënte verifikimin e ligjshmërisë së të gjitha hapave që ishin marrë për inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit. Në kërkesë theksohej, se puna e këtij komisioni do të ishte gjithashtu edhe kontrolli i zbatimit të ligjeve nga ana organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane si edhe verifikimi i pasojave ekonomike në buxhetin e shtetit shqiptar. Ndërkohë, komisioni do të bënte edhe vlerësimin e nevojës për përafrimin e legjislacionit për koncesionet dhe mjedisor, me direktivat dhe praktikat më të mira të BE-së. Komisionit hetimor përbëhej nga 15 anëtarë dhe kryesohej nga Jorida Tabaku e PD-së. Ermonela Felaj e PS-së ishte zëvendëskryetare.

Pasi mbylli punimet, ky komision në përfundim doli me dy raporte. Partia Socialiste me një raport më vete dhe komisionerët e opozitës me raportin e tyre. Themi kështu, se anëtarësia e këtyre të fundit në komision përbëhej nga deputetë të PD-së dhe të grupit tjetër opozitar të Sali Berishës – (Foltores). Sipas kryetares Jorida Tabaku, komisioni faktoi pretendimet e Partisë Demokratike për ekzistencën e një afere korruptive pas së cilës fshihet vetë kryeministri. Krejt e kundërt ishte qasja e anëtarëve të shumicës qeverisëse, të cilët dolën me të tjera konkluzione nga hetimi i tyre. Në mbledhjen e përmbyllëse të komisionit, në fjalën e saj deputetja e PS-së Ermonela Felaj bëri me dije se fjalën e fundit për dy raportet do ta thoshte Kuvendi. Ajo tha se fushat ku dikur depozitoheshin mbetje sot nuk ekzistojnë dhe theksoi se sot mbetjet trajtohen në impiante. “Fjalën e fundit do ta thotë Kuvendi kur do të miratojë raportin apo raportet. Nisi me historinë e 430 milionëshit dhe shkoi si ajo historia e gjelit që bëhet gjysmagjel me 100 milionë euro. Trajtimi i mbetjeve nuk është një recetë gatimi që të përtypet kaq lehtë. Me rëndësi është që ne t’i përmbahemi një strategjie me planifikim të qartë. Kjo është një sfidë për të gjithë, dhe jo një sfidë për aktoret e vijës së parë” – konkludoi ajo.

Siç (nuk) pritej, raportet s’kishin të bënin fare me misionin hetimit “parlamentar” të pretenduar nga Partia Demokratike, sepse, në raportin e tyre, veç një përpjekjeje të kotë që tentonte të dublonte punën e SPAK-ut, nuk u dëgjua asnjë sugjerim për ligje, apo akte shtesë, që mund të parandalojnë në të ardhmen korrupsionin e mundshëm në të tilla prokurime publike. “Aferë, mega aferë, bashkia, dëshmitar, landfilld, incenerator, korrupsion, koncension, kryeministri, ministri, tenderi, sekretari”, “gocë Samiu”, “jo 430 milion por 100 milionë euro”, “430, 430. Nuk e luan topi”, “APP-ja”, “PPP-ja” etj – ishin fjalët me resonancë më të lartë përdorimi që u dëgjuan në atë show mediatik të atij komisioni.

*

Mbrëmë vonë, me 76 vota pro dhe 34 kundër, Kuvendi i Shqipërisë miratoi raportin përfundimtar të Partisë Socialiste për inceneratorët, ndërsa rrëzoi atë të PD-së. Raporti i Komisionit Hetimor të opozitës për Inceneratorët mori vetëm 27 vota pro dhe 84 vota kundër.

Për raportin e PS-së morën pjesë në votim 110 deputetë, ndërsa për raportin e PD-së kanë marrë pjesë 111 deputetë.

Raporti i Komisionit Hetimor të opozitës duke marrë në votimin e fshehtë në Kuvend vetëm 27 vota pro dhe 84 vota kundër, u rrëzua.

Sa opozitarë mund të kenë votuar kundër raportit të tyre për Inceniratorët?

Përtej hamendësimit për personat që kanë devijuar votat nga çka ata përfaqësojnë politikisht në Kuvend, rezultati i votimit të fshehtë, në rastin e rrëzimit të raportit të paraqitur nga anëtarët e opozitës të kryesuar nga zonja Tabaku, nuk le shteg për të diskutuar falsitetin e moralit të disa prej deputetëve. Nëse në votim kanë qenë të 74 deputetët e PS-së, njëra prej mundësive është që, e pakta 10 deputetë të opozitës, të kenë bashkuar votat me ta. (84 -74 = 10)

Kjo, se vetëm 10 deputetë nga opozita duhet të kenë votuar kundër raportit të tyre, është logjika më e afërt. Ndërsa, po të kemi parasysh se herë pas here janë shfaqur deputetë të shumicës që “kanë dalë nga rreshti”, nuk është përjashtuese edhe logjika tjetër, se mund të kenë qenë 9 ose 10 nga opozita që kanë votuar kundër, dhe 1 apo 2 nga pozita që mund të kenë votuar pro opozitës. Mundësia e kombinacioneve (nëse kanë marrë pjesë në votim të 74 deputetët e PS-së) është 27. Nga 37 votues të opozitës – 10 votues kundër opozitës = 27. Pra, matematikisht, ekziston mundësia që të gjithë deputetët e opozitës, bashkë me kryesuesen Tabaku, të kenë votuar kundër raportit të komisionit të tyre dhe 27 të PS-së të kenë votuar pro raportit të “gocës së Samiut”… Çfarë s’bën vaki me plehrat?!…

Sa më shumë të dyshosh për madhësinë e numrit të votuesve të shumicës që kanë votuar kundër opozitës, po aq shton dyshimin për numrin e deputetëve të opozitës që kanë votuar pro raportit të socialistëve. Pra, t’i hysh këtyre hesapeve është e kotë. Dava plehrash. Këtë provoi plotësisht dhe i vuri vulën votimi i natës së 10 marsit 2022 në Kuvendin e Shqipërisë.