Nëse do t’i referoheshim parimit të njohur botërisht se, para së të gjykosh tjetrin “ec një milje me këpucët e tij”, do të thoshim se Bujar Nishani, ish-president i vendit, dhe historiani që drejtoi zgjedhjet e PD-së në Shkodër në 2017-n, Romeo Gurakuqi, nuk i veshën asfare këpucët.

Pas dy ditësh replikash në distancë, debati mes tyre ka përfunduar në gjyq.

Romeo Gurakuqi ka paditur zyrtarisht Bujar Nishanin për shpifje, duke kërkuar dëmshpërblim financiar.

Janë dy figura të njohura në PD, të dy i përkasin të njëjtës forcë politike dhe po të dy ata aspirojnë të militojnë gjatë në këtë parti.

Përplasja e tyre jo etike deri në nxjerrje inatesh personale që nuk burojnë sot, e ka nxjerrë PD-në zbuluar dhe ka vënë në pah një problematikë jo të vogël mbi cfarë përfaqëson secili në këtë force politike, se si askush nuk e do tjetrin, por edhe mënyrën false që u ndoq me procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për deputet.

Komisioni “Ruli” thjesht derdhi kupën.

Romeo Gurakuqi, qysh prej datës 22 tetor kur komisioni “Ruli” e nxori nga lista e kandidatëve të kualifikuar, nuk ka marrë ende një përgjigje për këtë vendim, ku në një postim të gjatë në Facebook radhit një e më një të gjitha shkeljet, sipas tij, të këtij komisioni duke i bazuar në nene rregulloresh e statuti partie, e deri tek fakti se as Komisioni i Apelimit i ngritur për këtë proces nuk është mbledhur ende.

Me renditjet e tij, Gurakuqi evidenton deri diku një proces farsë nga njëra palë, ndryshe nga sa proklamohet nga strukturat zyrtare, për gjithë procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për deputet.

Deri ketu, Gurakuqi është në të drejtën e tij për të marrë do përgjigje qoftë edhe zyrtare sa kohë që përmend ndër radhë se emri i tij është kontestuar më pak se gjithë kandidatët e tjerë për deputet në Shkodër.

Por ajo që kërcet më pas ne qendrimin e tij është etiketimi ndaj komisionit.

Ai nuk i referohet emrave konkret, (dhe jo pa qëllim) por lë ashtuqari të kuptohet për shumëkënd cdo pseudonim drejtuar tyre kur radhit: “Komisioni i përbërë nga anëtarë që janë formatuar në fillesë në kuzhinën e ish- Komitetit Qendror të PPSH, në Grupin e Oficerëve Enveristë Bustambajtës të Shkollës së Bashkuar, subjekte të proceduar në një kohë për tregtim pyjesh; ose ndër njerëz, që ende nuk janë drejtuar pranë institucioneve, që të vërtetojnë pastërtinë e figurës, të tregojnë çfarë bënin ata qysh në bankat e shkollës së mesme dhe vijim ne vitet (70-80), ku diktatura po bëhej çdo ditë dhe më e ashpër me rininë shqiptare”.

Ai bën “pis” edhe mënyrën se si ka vepruar ky komision kur thotë ndër të tjera se, “brenda kësaj skeme ndërhyrëse ka një produkt të ardhun si rezultat i tre muajve thëna e thashash të brendshme komisionare, siç me thojnë dëshmitarët, të denja për t’u krahasuar me modelin e diskutimeve të byrosë se pleqve të rrjedhur të PPSH, që rroposnin njerëz, por që planifikonin kapje të nesërme porcionesh pushteti, shpërblenin me favore, miq kohësh pushteti, lokal dhe qendror, që i mbajtën gjallë, etj”.

Diku shigjeton edhe Bashën. “…Askush nuk shpjegon dot kujt i duhej një grup njerëzish të papërputhshëm me funksionin e vlerësuesit, të cilët nuk kanë realizuar marrjen e vërtetimit të pastërtisë së figurës nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”.

Gurakuqi e krahason komisionin me “Komitetin e Shpëtimit Publik-Mehmeti II”, që sipas tij “përdorën shansin e dhanun jo për bashkim, por për “hakmarrje zemërthyerish” të modelit 2017: “dogjën” çdo raport koordinatorësh”,  e deri “nuk kërkuan asnjë rekord nga Autoriteti për Informim (nuk kishin se si derisa për vetë druheshin ta bënin) dhe një natë, papritmas, ilegalisht, në formë shantazhi, nxorën një listë me rreth 20 ish- deputetë të skualifikuar pa dhënë asnjë argumentim”

Për të shkuar tek pyetja që i bëri vetes se, “kush janë këto ‘jakobinë kokëprerës’, që kanë të drejtë të japin verdikte përkufizuese dhe poshtëruese mbi figurën time”

Dhe ja ku vjen përgjigja e Bujar Nishanit, njërit prej anëtarëve të komisionit, “Ruli”.

Çfarë shkruan Nishani, ish-President i Republikës?

“E di fare mirë se ju të gjithë, do të më thoni që një ish-president nuk ia vlen të merret me një llaxore korridoresh. Po, shumë e vërtetë si parim, por unë do të lutesha për mirëkuptimin tuaj. Në fakt nuk ia vlen që të ndalemi e të qëllojmë me gur çdo qen që na del përpara e na leh, se ashtu, nuk do të kishim kohë të mbërrinim në destinacion kurrë”.

Por jo, Nishani bën të kundërtën. Dhe pse?

“Unë mendoj se vemiet po nuk i dezinfektove, ato kthehen në krimba e gangrenizojnë gjithnjë e më shumë.

Të gjithë mbartësit e këtyre shpifjeve, pararendës të Romeos së 2017, janë dënuar nga gjykatat e këtij vendi si “shpifës”.

Ata do të kujtohen gjithmonë si shpifës ordinerë e fëmijët e tyre si fëmijë të shpifësve ordinerë!

Por Romeo i 2017 , ka një dallim prej tyre. Romeo është edhe burracak, frikacak e zvarranik, nuk i del shpifjes ballazi!”, shkruan Bujar Nishani.

Dhe dalim pastaj tek marrëdhëniet personale, që ish-Presidenti edhe mund t’i kursente.

“Para zgjedhjeve të vitit 2017, Romeo më dërgonte sms, ku kërkonte ndihmë se (sipas Romeos) punëdhënsi i tij, H. Çili i kërkonte me ngulm që Romeo të sulmonte e shante në media Sali Berishën.

Atë kohë kisha ndjesinë, se kisha të bëja me një kameleon që ‘luan me dy porta”, shkruan ai, duke i kujtuar më pas Gurakuqit se ai dështoi si kryesues i listës me rezultatin e zgjedhjeve në Shkodër në 2017-ën.

Kalojmë pastaj tek pyetja apo debati kryesor se;  A ka të drejtë një ish-Ministër i Brendshëm, që për shkak të postit që ai mban, të futet në dosjen e të kaluarës të shumëkujt e më pas t’i bëjë ato edhe publike? Dhe për interesin e kujt? Të publikut?

“Si një ish Ministër i Brendshëm, do t’i sugjeroja Romeos 2017 të kërkonte e lexonte në arkivin e Sigurimit të Shtetit (në Ministrinë e Brendshme) kartelën Nr. 379, të datës 08.01.1949, të rekrutimit të “SATELITIT” prej oficerit të sigurimit, Anastas Bojaxhi dhe kartelën Nr. 2641 të datës 27.02.1980, të rekrutimit të “VIGJILENTIT”, prej oficerit të sigurimit, Selfo Islami.

Jam i bindur se paskëtaj, Romeo 2017, do të kthjellohej, pakëz”, shkruan Nishani.

Por Romeo Gurakuqi, (ndryshe nga pritshmëritë e Nishanit), u kthjellua bollshëm.

“Pas një deklarate shantazhuese të z. Nishani deklaroj me përgjegjësi para opinionit publik, se të dhënat e paraqitura nga ish- Presidenti i vendit, nuk kanë të bëjnë as me mua dhe as me familjen time. I kërkoj publikisht Autoritetit për Informim mbi Dosjet e Ish Sigurimit të Shtetit të japë opinionin e vet përkufizues, brenda parashikimeve të ligjit, mbi dy dosjet e cituara. Personalisht jam kontrolluar dy herë nga Autoriteti për Informim në vitin 2017…

Personazhet, oficerët, të dhënat nuk kanë të bëjnë me mua dhe me asnjë anëtare të familjes sime.

Nën përgjegjësi publike deklaroj se as unë dhe asnjë anëtar i familjes sime, nuk ka qenë kurrë as bashkëpunëtor i Sigurimit dhe anëtar i PPSH”, reagoi Gurakuqi

A e rriti të vërtetën ky debat dhe zvogëloi në të njëjtën kohë dëmin e krijuar? Gjykojeni vetë…