2.2 miliardë lekë ose 17.7 milionë euro është dëmi ekonomik i konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2020.

Gjatë raportimit në Kuvend, kryetari Arben Shehu deklaroi se po monitorohet edhe menaxhimi i parave të tërmetit dhe pandemisë.

Gjatë vitit 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer 91 auditime në institucione qendrore, ministri dhe agjenci duke konstatuar dëm ekonomik që mbërrin në 17.7 milionë euro.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të auditimit të jashtëm publik, për vitin 2020 kishte planifikuar gjithsej 143 auditime, vijoi puna audituese për përgatitjen e 145 raporteve të auditimit, nga të cilat duke u orientuar drejt përmbushjes së detyrimeve ligjore janë evaduar 73 misione auditimi, si rezultat i rrethanave të shkaktuara nga ndikimi i pandemisë COVID-19”, tha ai.

Sipas tij, institucionet ku janë ushtruar misionet e auditimit gjatë vitit 2020 kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 91 subjekte. Ato kanë përfshirë, institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, fonde speciale, si dhe shoqëri aksionare me kapital shtetëror, në të cilën shteti ka mbi 50% të aksioneve, apo projekte me financim të huaj.

“Parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik janë në shumën 2,193,692 mijë lekë, dhe parregullsitë dhe paligjshmëritë me efekte negative në financat publike të subjekteve të audituara, arrin në vlerën 85,867,279 mijë lekë”, u shpreh Shehu.

Në institucionet e audituara, KLSH-ja gjatë periudhës janar – dhjetor 2020, ka adresuar gjithsej 1430 rekomandime, nga të cilat: 29 janë përmirësime ligjore, 1107 rekomandime organizative dhe 294 masa rekomandime disiplinore dhe administrative.