Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Athinë vitin e kaluar, ku u prit nga homologu i tij grek, Qirjakos Mitsotaqis. Gazeta Si, 2020

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias do të vizitojë së shpejti Tiranën për të diskutuar me Qeverinë shqiptare detajet e fundit të marrëveshjes për ndarjen e kufirit detar.

Vizita u njoftua nga Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis gjatë fjalës së mbajtur në Parlamentin grek, i mbledhur për të ratifikuar dy marrëveshjet që Athina ka nënshkruar me Italinë dhe Egjiptin për përcaktimin e kufirit detar.

Mitsotakis tha se Greqia do të ushtrojë të drejtën që ja njeh Konventa Ndërkombëtare e Detit për t’u zgjeruar me 12 milje në det, aty ku është e mundur dhe aty ku kjo nuk është e mundur, si në Kanalin e Korfuzit, të përdoret parimi i barazlargësisë.

“Greqia do të ushtrojë të drejtën e zgjerimit me 12 milje të ujërave territoriale në Perëndim dhe për këtë Ministria e Jashtme ka njoftuar prej kohësh si palën italiane, ashtu edhe atë shqiptare. Duke respektuar ligjet ndërkombëtare për detin, aty ku distanca mes dy brigjeve është më pak se 24 milje të aplikojmë parimin e barazlargësisë”, tha ai.

Kryeministri grek i vlerësoi me rëndësi dy marrëveshjet e arritura me Egjiptin dhe Italinë, ndërsa tha se “nervozimi që shkaktuan në Ankara, provojnë se Greqia është në rrugën e drejtë dhe e armatosur me të drejtën që ja njohin ligjet ndërkombëtare për kontrollin e ujërave në Mesdheun Lindor”.