Deputetja demokrate Orjola Pampuri ka akuzuar Sali Berishën dhe mbështetësit e tij për dhunë në protestën e ditës së shtunë, ndërsa ka theksuar se përballja e vetme, duhet të jetë ajo me qeverinë.

“Më vjen turp që PD, një tempull të them të drejtën i demokracisë në Shqipëri, të shndërrohet në një vend që e komentojnë të gjithë, në një vend i cili personifikon vendin ku palët u vendosën përballë njëra tjetrës. Jemi në një situatë të vështirë përballë një qeverie të korruptuar. E gjithë vëmendja jonë si opozitë duhet të ishte përballë Edi Ramës”, u shpreh Pampuri.

Kjo e fundit tha për “Euronews Albania” se meqënëse ish-lideri Berisha deklaron se ka mbështetje të madhe, të merrte një godinë tjetër deri në pritjen e vendimit nga ana e gjykatës.

“Nuk duhet ne të na vinte dikush përballë njëri tjetrit, me urrejtje, linçime, sharje, ofendime dhe deri në fund me akte të paprecedenta. Berisha le të merrte një godinë tjetër, meqë pretendon që ka aq shumë mbështetje deri në momentin e një vendimi gjykate. Të presim vendimin e gjykatës”, tha ajo.