Kanë ngelur edhe shumë pak kuti për t’u numëruar, por rezultati i LSI-së është i qartë, partia e Monika Kryemadhit ka fituar 4 deputetë në parlamentin e ardhshëm.

Në Tiranë LSI ka fituar 2 deputetë, të cilët korrespondojnë me emrat e Monika Kryemadhit dhe Eriosa Xhixhos, 1 në Fier, ku sërish fituese është Monika Kryemadhi dhe 1 në Shkodër, kryesuesi i listës Agron Çela.

Kryemadhit i duhet të zgjedhë vetëm një qark për të pranuar mandatin e deputetit, që do të thotë se mandati tjetër do t’i kalojë Petrit Vasilit, i renditur i treti në Tiranë ose Kejdi Mehmetaj, e renditur e dyta në Fier.

Vendimi do i takojë kryetares së LSI-së, që duhet të zgjedhë se kë do të ketë në krah për të bërë opozitë të fortë në parlamentin e ardhshëm, një politikan me eksperiencë si Petrit Vasili apo një politikane të re dhe me të ardhme si Kejdi Mehmetaj.

Por Kodi i ri Zgjedhor lejon edhe kandidatët e renditur në pozicionet jo fituese që të thyejnë listën. Kjo do të thotë se nëse Kryemadhi zgjedh Vasilin për t’i lënë mandatin, atëherë nënkryetari i LSI-së do të jetë nën “sulmin” e kandidatëve të tjerë, të cilët mund t’ia “rrëmbejnë” vendin si deputet. E kundërta ndodh me Kejdi Mehmetajn, e cila është më pak e rrezikuar, pasi Kodi Zgjedhor nuk i lejon kandidatët meshkuj të kalojnë mbi kandidatet femra, ndaj “lufta” e Mehmetajt nuk do të jetë shumë e ashpër.