Në një takim me të rinjtë në Tropojë këtë të enjte, kryeministri Rama foli për largimet nga vendit gjatë kohëve të fundit. Ai u shpreh se dilema ‘të qëndroj apo të largohem nga vendi është normale në kohën kur lëvizje është e lirë’.

Ai shtoi më tej se edhe britanikët kanë pasur një 20-vjeçar emigrimi pas Luftës së Dytë Botërore.

“E di që jeni në dilemën të rri apo të iki, por kjo është normale, legjitime, në kohën që jetojmë, kur nuk jemi më të mbyllur, mundësia për të lëvizur është aty. Gjithsecili në moshën tuaj është në të drejtën e vet për të kërkuar të çajë malet dhe të arrijë majat. Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që ikin dhe duan të provojnë eksperienca të reja, të matin forcat aty ku mundësitë janë më të mëdha. Kjo është normale. Këtë e kanë kaluar të gjithë vendet.

Në intervistën e BBC thashë edhe diçka që ata e kishin prerë për arsye kohe, që pas Luftës së Dytë Botërore, britanikët patën një 20-vjeçar të gjatë emigrimi të vazhdueshëm dhe u krijua një komunitet i tërë britanikësh në Australi, një komunitet që arrin në 10 milionë njerëz, po kështu në Amerikë, po kështu edhe migrimi brenda vendit. Kjo është normale. Nga ana tjetër, unë kam ardhur në Tropojë prej vitesh dhe sot është një realitet krejtësisht tjetër. Nuk ka lidhje me atë që ka qenë kur unë kam ardhur për herë të parë. Tani sheh që këtu ka jetë, këtu ka shpresë. Askujt nuk do t’i thosha që këtu është më mirë. Varet se çfarë mund të bësh këtu e çfarë mund të bësh atje”, tha Rama.

Në fund, Rama u shpreh se koha kur shqiptarët më shumë do të kthehen sesa do të ikin nuk është e largët.