Nuk ka paqe te Juventusi. Shumë hapa false, shumë zëra që kërkojnë largimin e Allegrit, por duket se klubi është në prag të një ndryshimi radikal. Dhe tani rrezikojnë të gjithë, jo vetëm trajneri.

Situata nuk është aspak premtuese. Takimi mes Allegrit dhe një pjese të lojtarëve që ka sjellë reduktimin e ditëve të grumbullimit, nuk është një sinjal i mirë në lidhje me raportin mes skuadrës dhe trajnerit.

Sipas ‘Gazzetta dello Sport’, në klubin bardhezi ka shumë nervozizëm. Shumë futbollistë nuk e kanë pritur mirë vendimin për t’u grumbulluar pas ndeshjes në Haifa. Grupi ankohet për faktin se Allegri nuk flet shumë me lojtarët dhe nuk jep udhëzime precize për lojën, duke krijuar jo pak konfuzion mes reparteve.

Në shënjestër është edhe faza përgatitore e verës, që sipas shumë futbollistëve është bërë me metoda të vjetra, me shumë ngarkesa dhe me intensitet të ulët.

‘Corriere dello Sport’ bën me dije ndërkohë se Juventusi është afër një përmbysjeje të madhe edhe sa i takon drejtimit të klubit. Më 24 korrik 2023 familja Agnelli feston 100 vjet si pronare e bardhezinjve dhe ka një hipotezë serioze për zhvillime të reja.

John Elkan ka thënë se dëshiron ‘një Juventus në lartësinë e së kaluarës’.

Humbjet në fushë do të reflektohen pa dyshim edhe në humbje në kasat e klubit. Që nga presidenti aktual e të gjithë me radhë, askush nuk është i sigurt te ky Juventus.