Ish-ambasadori grek, Alexandros Mallias, thotë se Greqia do të njohë pavarësinë e Kosovës. Në një opinion të botuar në “Kathimerini”, të cilës i referohet B92, Mallias flet për marrëdhëniet midis Greqisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke analizuar politikën e ndjekur nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias.

Kontaktet e nivelit të lartë me Kosovën janë intensifikuar. Kanë kaluar më shumë se 16 vjet (3 mars 2005) kohë kur kryeministri grek Kostas Karamanlis vizitoi Kosovën. Ishte vizita e parë dhe fatkeqësisht e fundit e kryeministrit në atë shtet të cilin Greqia nuk e ka njohur dhe që ndodhet dy orë nga pika kufitare në Evzoni”, shkruan Mallias.

Mallias ka shërbyer si ambasador i Greqisë në Uashington. Ai thotë se marrëveshja midis Greqisë dhe Kosovës e ka përmirësuar pozicionin e vendit, i cili mund të “përqafojë” Prishtinën dhe të kundërshtojë ndikimin e Turqisë në Ballkan.

“Ministri Dendias ka iniciuar një dialog të nivelit të lartë midis Greqisë dhe Republikës së Kosovës. Në fund të kësaj, gjasat janë që të vijë njohja. Ky zhvillim, i cili do ta afronte Greqinë më pranë faktorit shqiptar dhe do të prishte dominimin e Turqisë”, thotë ai.

Mallias flet për një pakt që do të kushtëzonte njohjen. Një i tillë, sipas tij, duhet të përfshijë dispozita që do të ndalonin çdo bashkim të Kosovës me një vend ose territor tjetër.

“Prandaj njohja kombinohet me kushtin bazë për rajonin më të gjerë në lidhje me përjashtimin e ndryshimeve të kufirit, ndarjeve dhe shkëmbimeve të territoreve (me Serbinë) dhe një bashkimi të mundshëm të ardhshëm (me Shqipërinë)”, shkruan ai.