Janë rreth 100 personat e vrarë vetëm sot, gjatë protestave kundër grushtit të shtetit në Mjanmar.

Ky është bilanci më i përgjakshëm i regjistruar që pas grushtit të shtetit të fillimit të shkurtit, që rrëzoi qeverinë e Aung San Suu Kyi.

Mes viktimave mendohet se ka edhe dy fëmijë: 5 dhe 13 vjeç.

“Është dita e turpit kjo e sotmja”, tha një zëdhënës i CRPH, një grupim kundër juntës.

“Po na vrasin si zogjtë, edhe në shtëpitë tona”, tha një banor nga qyteti Myingya për Reuters. “Por ne do të vazhdojmë të protestojmë”.

Një ditë më parë, në televizionin shtetëror, ushtria kishte paralajmëruar protestuesit se mund të goditeshin “kokë dhe shpinë”, nëse krijonin trazira në Ditën e Paradës Ushtarake. Pavarësisht paralajmërimit, mijëra persona zbritën në rrugët e qyteteve kryesore për të protestuar.

Bashkimi Evropian e dënoi ashpër represionin e protestave në Mjanmar, duke e quajtur ditën e sotme si “dita e terrorit dhe pandershmërisë”.

“Vrasja e civilëve të paarmatosur, përfshi fëmijë, është akt i pajustifikueshëm”, tha delegacioni i BE-së në Mjanmar.