Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, presidenti Ilir Meta, thotë se shumica e mediave shqiptare është nën censurën e qeverisë dhe kontrollin e oligarkisë.

“Fondet publike dhe burimet e dyshimta financiare vazhdojnë të përdoren gjerësisht për të cenuar lirinë e shprehjes, për të fshehur të vërtetat dhe për të shmangur llogaridhënien.

Dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shpeshtuar, së bashku me censurën dhe autocensurën.

Liria e medias është thelbësore për demokracinë.

Ne duhet të mbrojmë dhe inkurajojmë çdo ditë gazetarët kurajozë në punën e tyre. Ata duhet të ndihen të sigurt dhe të kenë qasje të plotë në informacionin që i shërben interesit publik, pa pritur që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste.

Pseudo-liritë prodhojnë vetëm regjime me pseudo-demokraci”.