Deputeti i PS-së Taulant Balla si rrallë herë ai ka dhënë një intervistë tek rubrika “Gjysma Ime” tek E Diela Shqiptare, ku ka folur më me detaje për jetën e tij private. Ai ka kujtuar momentin kur kishte fituar një bursë për shkollim në Rumani dhe nuk kishin shumë kushte të mira ekonomike.

Për ta dërguar djalin e tyre në shkollë, prindërit duhet të kërkonin ndihmë tek të afërmit, por për fatin e mirë disa ditë para se Taulanti të ikte në Rumani, babai i tij fitoi Telebingon diku tek 600-700 mijë lekë të vjetra që në atë kohë ishin të mjaftueshme për t’u nisur për në shkollë.

Ardit Gjebrea: Kujt i ka rënë Telebingoja nga ju të dyve?

Taulant Balla: Unë kam një histori të bukur me pjesën tjetër të emisionit tuaj. Babai im si të gjithë moshatarët e tij ose janë ndjekës të këtij emisioni për 20 e ca vitesh dhe unë kisha fituar një bursë për të shkuar në Rumani, por të them të drejtën prindërit të dy, njëri mësues, mamaja infermiere, përveç bursës që ofronte shteti mikpritës, patjetër që duhej një mbështetje tjetër financiare për pjesën tjetër të shpenzimeve.

Nuk i kishim dhe mamaja kishte vendosur që të shkonte tek vëllai i saj, daja që të kërkonte ndonjë mbështetje. Unë do ikja në Rumani të mërkurën dhe të dielën zhvillohej Telebingoja. Babai im blinte gjithmonë dy bileta dhe i ra telebingoja. Jo ajo e madhja, por ishte diku tek 600-700 mijë lekë të vjetra, por për mua ishin goxha për t’u nisur dhe për të marrë autobusin për të shkuar në Rumani.