Lajmi i dhënë nga presidenti Putin se Rusia ka krijuar vaksinën kundër koronavirusit shkaktoi një pështjellim të madh te njerëzit një ditë më parë, në lidhje me vërtetësinë e tij.

Shumë vende shprehën gëzimin dhe gatishmërinë për t’u furnizuar me këtë produkt të shumëpritur ndërsa shkencëtarët reaguan të shqetësuar duke vënë në dyshim efektshmërinë e vaksinës.

Disa dokumente të zbuluar së fundmi nga Daily Mail japin detaje se vaksina që prezantoi Putin është testuar vetëm në 38 persona dhe efektet anësore të saj kanë qenë të shumta si dhimbje, të vjella etj.

Edhe agjencia e lajmeve Fontanka shkruan se vaksina e shumë trumbetuar nga Rusia u regjistrua pas 48 ditësh kërkime dhe efektiviteti i saj është ende i panjohur.

Në një nga dokumentet e dorëzuar për regjistrimin e vaksinës shkruhet se “nuk janë bërë studime klinike për të parë studiuar efektin epidemiologjik”, ndërkohë që Putin deklaroi më herë se ajo i kishte kaluar të gjitha testet e nevojshme.

Gjithashtu ka pikëpyetje në lidhje me aftësinë e vaksinës për të krijuar antitrupa të mjaftueshëm.