Donald Trump nuk heq dorë nga ambicia e tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen në vitin 2024.

Gjatë një takimi me politikanët republikanë dhe financuesit e partisë së tij në Mar-a-Lago, ish-presidenti u shpreh se “në 2022 do të marrim Dhomën e Përfaqësuesve, Senatin dhe në 2024 dhe Shtëpinë e Bardhë”.

Trump nuk harroi të sulmonte dhe presidentin Biden gjatë këtij takimi duke thënë se ka një agjendë jo popullore dhe një nga dështimet e tij është pikërisht çështja e emigracionit.

Ai shtoi se “Partia Republikane do të jetë e suksesshme dhe do të rritet në të ardhmen nëse pranon fatin e saj si avokate e amerikanëve të klasës punëtore”.

Roli aktiv i Trump në politikën e partisë republikane pavarësisht humbjes në zgjedhjet e vitit 2020 është i pazakontë sepse ish-ish-presidentët kanë qenë më të prirur të largohen nga qendra e vëmendjes pasi dolën nga Shtëpia e Bardhë.