Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të hënën sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit, së bashku me aksionet e dy kompanive që menaxhojnë televizionet “Ora News” dhe “Channel One” në pronësi të tij.

Përmes një njoftimi për shtyp, SPAK deklaroi se Ylli Ndroqi alias Xhemail Pasmaçiu është subjekt i ligjit “Antimafia” dhe se “perandoria” e biznesit të tij dyshohet se i ka rrënjët tek përfshirja në të shkuarën në trafikun e drogës në Shqipëri, Turqi dhe Itali.

Avokatët e Ylli Ndroqit paralajmëruan apelimin e vendimit, ndërsa e konsideruan vendimin e sekuestrimit “një sulm politik” gjatë një prononcimi për Ora News.

“Ai mendon se është një sulm politik, për shkak të gjyqit tjetër që po zhvillohet me kryetarin e bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Në vazhdim do të tregojmë se si do të vazhdojnë ngjarjet,” tha avokati.

Por konflikti me Veliajn është i tanishëm, kurse precedentët penalë të Ylli Ndroqit janë të hershëm. Pavarësisht një urdhër-arresti të lëshuar nga Italia në vitin 2006, ai ka vazhduar i patrazuar për më shumë se një dekadë aktivitetet e tij të biznesit në Shqipëri.

SPAK thotë madje në njoftimin për shtyp se Ylli Ndoqi u arrestua edhe në shkurt të vitit 2015 bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos.

SPAK nuk ka sqaruar detaje mbi fatin e mëtejshëm të këtij arrestimi.

Së fundmi Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e 10 pasurive të patundshme, 5 automjeteve luksoze, mes të cilave dy me targa diplomatike, si dhe aksionet e 11 kompanive në pronësi të Ylli Ndroqit dhe bashkëshortes së tij, Mimoza Ndroqi.

Sipas SPAK, Ndroqi –i njohur më parë me emrin Xhemail Pasmaçiu është arrestuar që në shtator 1998 në Turqi në kuadër të operacionit “ESAS” për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 30.5 kg heroinë si dhe janë arrestuar përveç tij edhe Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar dhe Abdulselam Yunus.

Ndërsa në vitin 2004, autoritetet italiane e kanë referuar Ndroqin tek autoritetet gjyqësore si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.

Prokuroria e Posaçme e ka motivuar urdhrin për sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndroqit me dyshimin se ekziston rreziku për humbjen e tyre përmes transferimit tek persona të tjerë.

Gjykata ka ngarkuar Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për administrimin e pasurive të Ndroqit, ndërsa shoqëritë me aktivitet, përfshi edhe mediat televizive “Ora News” dhe “Channel One” do të vazhdojnë aktivitetin, gjithashtu të administruara nga Agjencia.