Një prej topografëve të Bashkisë së Himarës është arrestuar të martën nga policia pasi Gjykata e Vlorës kishte miratuar ndaj tij masën e arrestit me burg në datë 6 nëntor 2021. Policia njoftoi se i arrestuari është Elton Marko dhe se ishte nën akuzë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

“(Marko) Dyshohet se ka falsifikuar formularin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur tek persona të tjerë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Një agjent i policisë në dijeni të hetimeve tha se Marko është në të njëjtin grup të dyshuarish me ish-drejtuesin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Klodian Troci dhe ish-drejtorin e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në Këshillin e Qarkut të arrestuar në fillim të tetorit me akuza të ngjashme. “Ka pasur disa referime të reja në Prokurori, të cilat i janë bashkuar dosjes. Arrestimi i tij vjen pas sekuestrimit të mbi 20 dosjeve hipotekore në ASHK”, tha ai, duke kërkuar të jetë anonim.

Prokuroria e Vlorës i akuzon të ndaluarit si pjesë e një skeme të sofistikuar kriminale për tjetërsimin e të paktën 63 mijë m2 tokë në fshatin piktoresk të rivierës së Jonit. Bazuar në vendimin e gjykatës për masën e sigurisë ndaj Trocit, zyrtarët publikë të dyshuar përdorën pozicionin e tyre për të tjetërsuar sipërfaqe toke me vlerë miliona euro në bregdet.

BIRN mësoi se për shkak të situatës së krijuar nga abuzimi me detyrën i zyrtarëve në Vlorë, ASHK është urdhëruar të pezullojë punën e regjistrimit të tokave apo transaksioneve të pronës në këtë zonë.

“Ka mbërritur një udhëzim nga ministria e Drejtësisë e cila ndalin kryerjen e transaksioneve të mëdha të pronave në jug të vendit. Pasi aktualisht ka nisur procesi i verifikimit të titujve të pronësisë. Është një vendimmarrje nga drejtoria përgjithshme dhe ministria linjës”, i tha BIRN drejtori aktual i Kadastrës Reinard Metaj. Një porosi e ngjashme është dhënë edhe për zyrat e noterisë.

Zhvillimi i shpejtë i turizmit në zonën e bregdetit të Vlorës gjatë viteve të fundit ka sjellë një rritje eksponenciale të vlerës së tokës dhe fatkeqësisht nuk kanë munguar rastet e tjetërsimit të pronësisë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet falsifikimeve, shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Për shkak të konflikteve, akuzave për korrupsion dhe tjetërsimeve të paligjshme të pronës, gjatë dy viteve të fundit, Agjencia Shtetërore Kadastrës Vlorë, ASHK ndërroi 10 drejtues.