Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha për draftin e maxhorancës për ish-spiunët, se e argëton fakti që ka nisma të reja.

Mes ironisë ai theksoi se e di shumë mirë se si përfundojnë ligjet anti-Meta.

“E dini fatin e të gjithë nismave anti-Meta. E dinë të gjithë! Më argëton kjo nismë e re. Për arsye se jo vetëm që e ndihmon dhe përshpejton rënien e lirë të kryeministrit aktual dhe në largim për të ecur edhe më tej drejt fundit të merituar, por shumë të vonuar për arsye të cilat ju i dini shumë mirë. Para një viti ai kontrollonte tërësisht opozitën në vend. Ne do ia japim kënaqësinë që të bëjmë dhe do ia fusim atje ku i shijon më shumë. Ajo që nuk shmang dot, është se ai do të përgjigjet sipas ligjeve që ka bërë vetë. Sipas gjërave që ka bërë vetë. Jemi bazuar mbi faktet ku ai është i përfshirë, do i shkojmë deri në fund të gjithave”, tha Meta.

Kreu i Partisë së Lirisë tha më tej se situata ekonomike dhe sociale po vjen duke u përkeqësuar.

“Çmimet e plehrave 200 deri në 300% më i lartë në krahasim me një vit më parë. Situata e rëndë që po ballafaqohet vendit dhe çdo familje shqiptarë për shkak të keqqeverisjes. Kemi paralajmëruar që papërgjegjshmëria e menaxhimit të borxhit publik po çon drejt kolapsit të plotë të situatës ekonomike dhe sociale. Borxhi publik që është ende i paqartë për shkak të mungesës së transparencës së qeverisë, tani rrezikohet nga faktorë të rinj, rritja e normës së interesave dhe rifinancimit. Banka Kombëtare është angazhuar në rritjen e normës së interesave dhe ka paralajmëruar që procesi mund të vijojë më tej”, u shpreh Meta.

Ai nënvizoi se i fton të gjithë opozitarët që të forcojnë monitorimin ndaj bashkive ndaj vendimeve të këshillave bashkiake, kudo ka afera lokale

“Nuk ka asnjë lloj kontrolli nga ana e opozitës. Do punojnë që ta kthejmë pushtetin vendor qytetarëve. Përshëndes idenë e primarëve”, u shpreh Meta.