Drejtësia zvicerane i ka bërë të qartë UEFA-s dhe FIFA-s se nuk mund të ndëshkojë klubet që janë ende pjesë e Super Ligës.

Sipas spanjolles “Cadena Ser”, Ministria e Drejtësisë e Zvicrës i ka dërguar një letër dy institucioneve drejtuese të futbollit për t’i njoftuar se nuk mund të marrin masa ndaj Real Madrid, Barcelona dhe Juventus.

Më 25 maj, UEFA kishte nisur procedurat disiplinore kundër skuadrave në fjalë.

Një gjykatës i Madridit ishte vendosur në anën e Barçës, Juves dhe Realit, duke paralajmëruar UEFA-n se nuk mund të miratojë ndonjë procedurë disiplinore ose sanksionuese.

Ndërkohë, Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian i është kërkuar të japë një vendim për shkelje të rregullave të konkurrencës nga ana e UEFA-s dhe FIFA-s.

Tre ditë më parë, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, foli sërish me tone të ashpra për ish-mikun e tij, Andrea Agnelli. Në një intervistë për “So Foot”, Ceferin tregoi se nuk ia ka falur Presidentit të Juventusit përpjekjen për lançimin e Super Ligës: “Për mua, ai njeri nuk ekziston më. Mendoja se ishim miq, por më ka gënjyer deri në minutën e fundit të ditës së fundit, duke më thënë që nuk kisha pse shqetësohesha. Ndërkohë, ai kishte firmosur dokumentet për nisjen e Super Ligës”.

Në pritje të dënimeve të mundshme për 3 klubet rebele (Juventus, Real dhe Barcelona), pas nisjes së hetimit të UEFA-s, Ceferin i hedh sërish benzinë zjarrit: “Në këtë çështje, protagonistët i ndaj në 3 kategori. Andrea Agnelli në kategorinë e parë, pasi ishte diçka personale. Në kategorinë e dytë janë presidentët që i mendoja se më mbështesnin dhe më vjen keq që nuk më thanë se çfarë po planifikonin. Në kategorinë e tretë janë ata me të cilët nuk kam pasur kontakte të ngushta. Edhe ata do të përgjigjen për atë që bënë”.