Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Ambasadorja Urszula Gacek thotë se në Shqipëri ka patur një shqetësim më të madh se shit-blerja e votës, në zgjedhjet e 25 Prillit.

Në një intervistë për DW Gacek e quan shqetësues keqpërdorimin e burimeve të administratës për zgjedhjet e qëndrimin jo të qartë ndaj kufirit mes partisë e shtetit.

“Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit.

Lidhur me shit -blerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shit-blerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Nëse i referohemi informacioneve të besueshme, kemi 33 hetime për shit-blerje votash, që janë hapur para ditës së votimit. Pra nuk ka vetëm një fajtor.

Dëmi që sjell shit-blerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë tek sistemi zgjedhor është i dyfishtë. ODIHR ka bërë rekomandime në zgjedhjet e mëparshme lidhur me shit-blerjen e votës.

Njëri prej tyre është edukimi i njerëzve që nuk duhet ta shesin votën e tyre. Kemi parë një përpjekje të madhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) në këtë drejtim, komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Shqipëri, Këshilli i Europës, Ambasadat, shoqëria civile. Rekomandmi tjetër, është trajtimi i shkelësve të ligjit, që po e ndjekim me shumë vëmendje. Nëse dikush kapet që shet dhe blen votën ka rëndësi mënyra sesi e trajtojnë autoritetet rastin. Çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë.

Nuk është një dukuri që mund të zhduket vetëm në një proces zgjedhor, pra ka dy elemente: edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale.”– është shprehur drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR.

Lidhur me këtë, Gacek ka pranuar se gjatë fushatës zgjedhore, partia në pushtet ka qenë më e favorizuar sepse janë hapur spitale, janë përuruar shkolla. Gjë e cila ndikon në fushatë dhe lë në disfavor partitë e opozitës.

“Kur një forcë politike është në pushtet, ka gjithmonë një sërë avantazhesh natyrore, pasi mund ta tregojë veten më shumë.

Nga ndjekja e fushatës në 12 qarqet e Shqipërisë me vëzhguesit tanë ndërkombëtarë kemi konstatuar që të gjithë aktorët politikë mbanin fjalime. Nisur nga përmbajtja e tyre, askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi psh. kur dikush shkon hap spitale apo përuron shkolla. Ka patur vizita inspektuese, të shpeshta nga ministra në objekte të caktuara dhe përdorur ato për fushatë elektorale.

Media shqiptare, nga vëzhgimet tona, e ka parë këtë si pjesë të fushatës zgjedhore të partisë në pushtet. Por kur ke logon e partisë në maskën anti-Covid , nëse je duke mbajtur fjalim dhe thua ‘Më votoni’ atëhere kjo nuk është e lejueshme, e kapërcen kufirin e së lejueshmes. Pra, është fakt që partia në pushtet ka disa avantazhe. Çështja është nëse mund ta përmbash, kufizosh veten që t’i përdorësh këto avantazhe brenda kufirit të lejueshëm. Misioni ynë po analizon pikërisht këtë, nëse ligji zgjedhor e ndalon këtë praktikë, pasi ligji është më strikt sesa rregulloret dhe udhëzimet. Ka paqartësi në ligjin e ri zgjedhor që do t’i shikojmë në detaje.”- tha Gacek.