Të paktën 12 ngjarje kriminale, vrasje dhe atentate të parealizuara janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit, pas arrestimit dhe bashkëpunimit të tij me drejtësinë.

Jo më kot operacioni është koduar “Golden Bullet” apo në shqip “Plumbi i artë”, referuar plagosjes së Dumanit më 30 mars në fshatin Paper të Elbasanit, në të njëjtën ditë dhe kur u arrestua në qytetin e Fierit.

Ai ka treguar përpara prokurorëve të SPAK-ut se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për vrasjen e Endrit Dokles kundrejt 100 mijë eurove.

Dumani ka rrëfyer autorët e ekzekutimit të Fatmira Dedës në vitin 2014, pasi ajo kërkonte drejtësi për vrasjen e djalit të saj Elvis Deda, në vitin 2013.

Përpara hetuesve Dumani ka folur edhe për vrasjen e taksistit Bujar Çela, vëllait të armikut të tij Talo Çelës.

Në deklarimet e tij Dumani ka thënë se në vrasje mori pjesë vetë ai, Besmir Xhixha dhe një person tjetër i shpallur në kërkim.

2.8 kg tritol në banesën e Talo Çelës më 5 nëntor 2020, është vendosur nga shtetasi Elio Bitri.

Sipas dosjes së Spak, ngjarja ishte hakmarrje për shkak se Talo Çela kishte planifikuar të ekzekutonte dy personazhe të njohur të krimit në Elbasan, Florenc Çapjan dhe Sokol Sanxhaktarin, por nuk i realizoi dot.

Oficeri Leonard Palushi implikohet nga Dumani në prishjen e provave me qëllim që akuza e vrasjes së Emiljano Ramazanit t’i kalonte 2 personave pa lidhje me ngjarjen.

Një tjetër ngjarje e zbardhur është edhe atentati i dështuar ndaj biznesmenit Lulzim Masha, pranë liqenit artificial në janar të këtij viti, për të cilin nga SPAK-u akuzohet Suel Çela.

Dumani ka treguar edhe emrat e personave që kishin planifikuar për të ekzekutuar Filip Gjeloshin, personazh i skeduar më herët nga autoritetet./ Euronews Albania