Nga Ardian VEHBIU

_____

I keni parasysh ata tipat – ose edhe tipet xhanëm – që janë jeta e tavolinave, në takime, në festa, në sebepe gjithfarësh; gra dhe burra të gojës, që rrëfejnë dhe i mbajnë të tjerët me muhabet dhe argëtojnë duke u argëtuar edhe vetë?

Ka dy lloje syresh: një palë që i sajojnë ato që thonë, i shpikin, ose në rastin më të mirë i zbukurojnë, për t’i bërë sa më tërheqëse – dhe të tjerët zakonisht ua dinë huqin dhe ua tolerojnë, duke ua falur, me kusht që të zbaviten.

Për një nga këta, kam dëgjuar një plakë shqiptare nga Mali i Zi të thoshte: “rren bukur!” E kish fjalën për të birin, dhe ndihej vërtet krenare, që i biri “rrente” në muhabete dhe ashtu nuk i linte miqtë e vet a gostarët të mërziteshin. Kam pasur edhe unë një të tillë në rrethin familjar – rrente edhe ai, herë bukur herë jo dhe aq bukur, por të tjerët ia pranonin rrenat dhe kënaqeshin edhe me ato që sajonte, edhe me atë vetë si personazh herë grotesk herë pak të trishtuar.

Ishte gjithnjë fjala për rrena të padëmshme, të menduara vetëm e vetëm për ta bërë rrëfimin sa më interesant; edhe pse, dyshoj, tradhtonin edhe një lloj dëshire – nga folësi – për ta mbajtur vëmendjen e të tjerëve të ngulur te vetja.

Është pastaj edhe një palë e dytë, që nuk sajojnë asgjë, por që janë në gjendje që edhe incidentin më banal, të themi të dikujt që rreket të kapërcejë trafikun me të kuqe dhe vallëzon mes makinave, ta sjellin në bisedë aq të gjallë, sa atyre që dëgjojnë t’u duket ngjarja më e çuditshme që kanë dëgjuar ndonjëherë.

Merita e këtyre të dytëve nuk është aq se rrëfejnë gjëra të bukura, tërheqëse ose komike, por sepse rrëfejnë BUKUR.

Dhe duke rrëfyer bukur, ta sjellin të përditshmen përpara të ndriçuar ndryshe, në mënyrë të tillë që ti ta zbulosh rishtas, si realitet të papritur e të panjohur. Unik në këtë rast nuk është aq incidenti i rrëfyer, sa këndvështrimi i rrëfyesit, ose aftësia e tij për ta rikrijuar botën vetvetishëm.

Këta nuk dinë të gënjejnë – edhe pse e dinë, thellë thellë, se realiteti i rrëfyer nuk është i njëjtë me realitetin që përfton rrëfimi vetë; ata krijojnë pa qenë nevoja të shpikin e të sajojnë. Nuk shkojnë deri në Hënë, për të sjellë pastaj fotot e rrugës; por të bëjnë të dyshosh se mos ti vetë nuk e ke parë ndonjëherë botën që ke përreth.

I dua më shumë se të parët; entuziazmi që më ngjallin, kur i dëgjoj, nuk ka shumë të bëjë me mahnitjen e fëmijës ndaj një përralle që i rrëfejnë. Mbase edhe gënjeshtrat dua që të m’i thonë vetëm për të më ngushëlluar, jo për të më argëtuar.

_____

(c) 2023 AV.