Paulo Dybala zgjedh Interin. Janë të bindura mediat në Itali, që raportojnë se zikaltrit dhe argjentinasi negociojnë prej javësh dhe duket se tashmë kanë arritur akordin për të firmosur një kontratë 4-vjeçare.

Numri 10 i Juves nuk mori ofertë rinovimi nga bardhezinjtë dhe do të jetë lojtar i lirë në fund të sezonit, teksa krahas Interit, për të shfaqën interes edhe skuadra si Manchester United e Atletico Madrid.

Megjithatë zikaltrit kanë qenë më bindës edhe për shkak të marrëdhënieve të Dybalës me Marottën, por mbi të gjitha për faktin që argjentinasi është mësuar me jetesën në Itali dhe nuk ka dëshirë të ndërrojë ambient. Gjithashtu kërkon të hakmerret edhe ndaj Juves që nuk besoi më tek ai.

Nga ana tjetër vlen të theksohet se Interi ka marrë garanci për gjendjen fizike të Dybalës dhe i ka ofruar atij një rol të rëndësishëm bë projekt, ashtu si kontrata 4-vjeçare dhe një pagë prej rreth 6.5 milionë eurosh, aq sa marrin aktualisht Lautaro e Brozoviç.