E mbani mend Dylin, apo jo?  Dyl Dyshekun, ish nxënësin tim, që më ‘86-n i jepja lëndën e marksizmit në teknikumin bujqësor të mbrëmjes në fermën e Cërrujës dhe që, nga karrocieri i fermës, u bë afarist dyshekësh. Ju kam treguar që, kur shkolla e natës u mbyll në ’92-shin, mbeta pa punë. Kur gjumi im mori arratinë dhe përfundova në çmendinë, vetëm ai u bë shpëtimtari im. Ditën që dola prej andej, më mori e më punësoi si shitës dyshekësh në një nga dyqanet e tij.   

Dyli është ai që, kur i shpjegoja dikur “Kapitalin” e Marksit, ia fuste gjumit në bankën e fundit, por, që pas ’92-shit, jo vetëm që u bë pronari im, por shpesh luan edhe rolin e profesorit tim. Për të më ftilluar me situatën që jetojmë, nuk përton asnjëherë që të më shpjegojë me durim filozofinë e “kapitalizmit të sotëm shqiptar”… Kur shkruan ndonjë faturë furnizimi, Dyli përdor gërma shtypi kapitale (se vetëm ato di) dhe fjalëve, edhe kur e kërkon drejtshkrimi, nuk i vë kurrë në fund shkronjën “ë”. Presidenti Dyl Dysheku (kështu e kemi të gdhendur në vulën e kompanisë) nuk njeh asnjë nga shenjat e pikësimit, por kjo s’do të thotë se s’është i aftë në menaxhimin e biznesit të vet. Nuk ka kulturë gramatikore, por budalla nuk mund t’i thuash kurrsesi. Madje ai ka një prirje të rrallë për të mësuar gjuhët e huaja. Me të lexuar jo (se me të shkruar as që bëhet fjalë), por, me të folur, Dyli është i jashtëzakonshëm. Turqishten e greqishten i than. Tani i ka hyrë anglishtes. Dyli ka shumë sedër, prandaj kur vjen, gjithnjë si rastësisht, duke e çuar muhabetin te amerikanët, më pyet për  ndonjë fjalë që atij me demek nuk i vjen ndërmend atë çast. Gjithmonë, para se të pyesë për atë fjalën që “nuk i kujtohet se si i thonë amerikanët”, Dyli më komplimenton duke më thënë: “Ju profesor, ndryshe nga unë, keni një personalitet gramatikor që unë jua çmoj. Ne të dy plotësojmë njëri tjetrin”… Me këtë unë nënkuptoj se, i vetmi personalitet që kam unë dhe i vetmi që i mungon Dylit, është ai “gramatikor”! Mbase ka të drejtë Dyli. Nuk kam personalitet tjetër, veç atij gramatikor. Kam lexuar në internet se, ilaçet antidepresivë që përdor me rekomandimin e psikiatrit, e depersonalizojnë pacientin… Nejse! Të paktën më ka mbetur ai që i mungon Dylit: “personaliteti gramatikor”…    

Profesor! Ç’do të thotë një amerikan kur të drejtohet në telefon: “[Uith ship, or not uith ship?]”? – më pyeti Dyli sot.   

Pa e fshehur habinë për këtë pyetje iu përgjigja: Kështu si e shqipton ti Dyl do të thotë: “Me dele, apo me dele?”.   

Pas përkthimit tim, ishte Dyli këtë radhë që shqeu sytë nga habia:    

Si, si? Me dele, apo me dele? Je i sigurtë? Apo?… Mos më kanë thënë: “Me dele, apo me dash”?… Patjetër, kështu “me dash” më ka thënë amerikani. Me dash, me dash, ma ka thënë… Është tallur qerratai i përtej oqeanit, siç u tall para ca kohësh Edi Rama me “non gratën” që DASHi amerikan i dha Sali Berishës. Sa inat më vjen që nuk e kuptova humorin. –  deshi t’i verë kapak muhabetit Dyli. Por këtë herë isha unë ai që nuk desha të mbyllej ky muhabet.    

-Të lutem Dyl, a ma tregon pak kontekstin e bisedës, d.m.th. gjithë atë që llafose me atë amerikanin tënd kur të tha “[Uith ship, or not uith ship?]”!   

-Po. – m’u përgjigj Dyli dhe më tregoi: Bisedoja me një tregtar amerikan për të më sjellë ca dyshekë që andej për t’i shitur këtu. M’u duk se ia kapa lirë dhe me gjithë transportin, përsëri fitoja mirë… Kur ra muhabeti për transportin, për anijet d.m.th., më bëri atë pyetjen “[Uith ship, or not uith ship]”…   

Në çast më shkrepi dyshimi dhe e pyeta Dylin:     

Mos tek fjala [ship] e ke zgjatur paksa zanoren “e” dhe i ke thënë [shiip]?   

-Po ku di unë?! Patjetër. Unë desha t’i tregoja atij se e flas amerikançen më mirë se ai, prandaj gjithnjë kur llafos me ta, i zgjas ato. Si e thatë se quhen ato ju profesor? Zanore, ë? Po, po. I zgjas sa të mund. Madje unë e zgjata deri sa më mbaroi fryma. “[shiiiiip]” i thashë…   

-E kuptova Dyl. Amerikani që thua ti, patjetër kur të ka pyetur: “[Uith shiip, or uith ship?]” e që përkthehet: “Me dele, apo me anije?”, ka bërë edhe humor.  Fjala [shiip], me “i” të zgjatur do të thotë “dele”, ndërsa fjala “anije” shqiptohet [ship].    

Po ta vazhdoje me shkrim komunikimin me mikun tënd të përtej oqeanit, ai do të të pyeste: “With sheep, or with ships?”, që, si ajo që ke dëgjuar [Uith shiip, or uith ship?] përkthehet: “Me dele, apo me anije?”.    

E kuptova, e kuptova, – m’u drejtua Dyli – Si është puna e gjuhëve?! Amerikanët i thënkan njësoj deles dhe anijes, tamam siç i themi ne njëlloj “DASH” burrit të deles dhe Departamentit Amerikan të Shtetit! Edhe një pyetje kam për ju profesor: Mos ky “DASH”-i amerikan i bie kot më qafë ca shqiptarëve që, si puna ime, për t’u dukur më amerikanë se ata, i zgjasin kot më kot zanoret? Si thua? D.m.th., mos është vetëm mungesë e “personalitetit gramatikor” e këtyre që marrin “Non grata”?   

Nuk di ç’të them për këta shqiptarë o Dyl, por di që DASH-i që thua ti, komunikon vetëm me shkrim, me dokumente, prandaj edhe keqkuptimet janë një pamundësi absolute. Nuk besoj se është vetëm punë e “personalitetit gramatikor”. Po të ishte ashtu, edhe ti nuk do ta kaloje oqeanin…  

 

Ilir Mborja