Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku shtoi sot dozat e dyshimeve se pas investimit gjigant prej 2 miliardë dollarësh për portin turistik të Durrësit, nuk qëndrojnë arabët, por qëndron një aferë korruptive po kaq gjigante.

“Fantazmë, apo jo është diçka që e thotë opozita. Duhet të thelloheni në dokumente. Lëvizjet mes kompanive janë normale për sa kohë ato kanë akte ligjore. Besoj se do të merrni përgjigjet”, tha ministrja Balluku, kur u pyet këtë të mërkurë nga gazetarët mbi zërat se miliarderi arab, Mohamed Alabbar po shiste aksionet e kompanisë “Symphony Invest Limited”, e regjistruar në Ishujt Cajman.

Kompania në fjalë është regjistruar në Shqipëri si pronare me 100 për qind të aksioneve të kompanisë “Symphony Real Estate”. Por, në fillim të kësaj jave qarkulloi lajmi se “Symphony Invest Limited” kishte dorëzuar në QKR aplikimin për ndryshimin e pronësisë.

Pra, kompania nuk ishte më e sheikut Alabbar, por kishte ndryshuar pronar. Çështja është se pronarët e rinj të saj mbeten misteriozë dhe pas debatesh të brendshme në zyrat e QKR-së është vendosur që aplikimi të mos pasqyrohet në dokumentacionin e “Symphony Invest Limited”. Arsyeja? Aplikimi kishte mangësi dhe paqartësi të kompanisë blerëse.

Kjo konfirmohet jozyrtarisht për Voxnews.al nga burime pranë QKR-së dhe në dijeni të çështjes në fjalë. Aplikimi ka shkaktuar përplasje brenda këtij institucioni ku askush nuk ka marrë përsipër nga punonjësit e autorizuar me ligj që ta pasqyrojnë atë në ekstraktin e thjeshtë dhe ekstraktin historik të kompanisë “Symphony Invest”.

Për këtë arsye, pas përfundimit të afatit 7-ditor, që parashikon ligji dhe rregullat mbi të cilat funksionon QKR dosja është kthyer mbrapsht për plotësim te kompania “Symphony Invest Limited”. Pjesët që kërkohet të plotësohen lidhen me kompaninë që ka blerë 100 për qind të aksioneve të kompanisë së arabit Alabbar, datën e themelimit, pronarët dhe vendin e regjistruar.

Burime të Voxnews.al thonë se ky rast në QKR është një reminishencë e regjistrimit të kompanisë “DH Albania” në aferën korruptive të lotit të parë të ndërtimit të Unazës së Re në aksin Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimin Shqiponja. Në atë kohë, kompania u shfaq si kompani amerikane e themeluar dhe regjistruar në shtetin Delaware të SHBA para vitit 2000. Por, më vonë u zbulua se dokumentacioni i dorëzuar prej saj në QKR ishte i falsifikuar, madje përfshirë këtu edhe vërtetimin noterial të siguruar nga SHBA./VoxNews