Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ka reaguar pas deklaratave të homologut të tij amerikan Joe Biden që e cilësoi atë si vrasës.

Kreu i shtetit rus deklaroi se ishte gati të bisedonte publikisht përmes internetit me Biden, rreth marrëdhënieve bilaterale me Shtetet e Bashkuara si dhe çështje të tjera të tilla si konfliktet rajonale.

Putin tha gjithashtu se komentet e Presidentit amerikan Joe Biden pasqyrojnë problemet që Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht apo kanë patur në të shkuarën.

I pyetur se çfarë përgjigje do t’i jepte Presidentit amerikan Biden lidhur me deklaratën e tij, Putin tha se kur ishte fëmijë i përgjigjeshin fyerjeve me një shprehje:

“Ato çfarë thua për të tjerët, pasqyrojnë atë që je ti vetë. Qofsh me shëndet, i uroj të jetë mirë dhe e them pa ironi apo shaka”, deklaroi Putin.

Një ditë më parë, Biden ka kritikuar në mënyrë të fortë politikën e Kremlinit, duke e cilësuar presidentin rus Vladimir Putin si një vrasës.

Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se “Putin do të paguajë një çmim të lartë për tentativën e ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane të vitit 2020”.