“El Mundo” ka publikuar pjesën e dytë të kontratës marramendëse të Messit me Barcelonën, që u firmos në nëntor të vitit 2017.

Nëse të dielën gazeta publikoi se totali i shumës së përfituar nga argjentinasi për 4 vite është rreth 555 milionë euro (138 milionë euro në sezon, përfshi bonuset), sot zbulon një klauzolë në kontratë, sipas së cilës, klubi do t’i paguajë Messit në muajin korrik 39 milionë euro të tjera, për atë që quhet “besnikëria ndaj klubit”. 

Kjo pagesë do të bëhet edhe nëse Messi qëndron, edhe nëse largohet nga katalanasit në fund të sezonit.

Lajmi i djeshëm shkaktoi shumë debat në botën e futbollit, duke bërë që trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, të dalë në mbrojtje të lojtarit të tij: “Nuk ka kuptim të thuhet se Messi po falimenton Barcelonën. Unë nuk e kuptoj. Nëse dikush brenda klubit ka nxjerrë dokumentet, nuk duhet të punojë më për këtë klub. Mos u merrni më me kontratën dhe me budallallëqe si kjo… Duhet vlerësuar ajo që ka bërë Messi për Barcelonën. Ka vite që i tregon vlerat e tij, është më i miri dhe e ka bërë këtë klub edhe më të madh sesa ishte”.