Mëngjesin e asaj dite gjithçka dukej e qetë dhe e zakonshme, deri në momentin kur Edi i trokiti në derë dhe, pa pritur lejen e tij, hyri në zyrë me një shprehje të çuditshme në fytyrë.

– Zoti Kryeministër! Kemi lajme urgjente nga Prokuroria Speciale Anti Korrups…

– E di, mor Edi, e di. Diku i lexova – e ndërpreu kryeministri që po merrej me pasqyrën që i kishin bërë dhuratë amerikanët dhe, si rrallëherë, e pa drejt e në sy me një buzëqeshje të ndrojtur këshilltarin e tij.

– Çfarë është, mor Edi?! Mos më thuaj se ke dalë edhe ti në përgjimet e amerikanëve?!

– Jo, zoti Kryeministër. Pas arrestimeve që u bënë mbrëmë, rezulton se Prokuroria ka arrestuar gjysmën e kabinetit tuaj dhe ka vënë nën akuzë për korrupsion gjysmën tjetër. Domethënë, nëse ju (si t’jua them?), fjala vjen, viheni nën akuzë apo (larg qoftë!) arrestoheni, përcaktohet edhe nga do të anojë balanca mes të akuzuarve dhe të arrestuarëve. Pra, gjithçka varet nga sjellja juaj me SPAK-un, apo ajo e SPAK-ut me ju, zoti Kryemistër.

Kryeministri donte të besonte se kjo që dëgjoi duhej të ishte ndonjë shaka nga ato me humor të zi që Edi kishte filluar t’i bënte shpesh këto kohë.
Qeshi lehtë dhe mendoi t’ia kthejë po me humor të zi përgjigjen e këshilltarit shakaxhi me një pyetje:
– Po kryetarët e bashkive, futen në këtë hesap?
– Jo, nuk futen. As kryetarët, nënkryetarët dhe as drejtorët e bashkive.
– Mirë, mirë, o Edi, – e ndërpreu kryeministri duke mos ia ndarë sytë pasqyrës së vogël – por po pres t’i shoh këto “akte heronike” të SPAK-ut tē luajtuara në ndonjë komedi në Teatrin Kombëtar…, po atë e prishi Lali Eri dhe tani po e kuptoj pse e bëri atë punë. Unë kujtoja se ai ishte kolegu ynë, por na doli se qenka me ata të SPAK-ut…
Por, edhe pas kësaj përgjigjeje, fytyra e Edit nuk ndryshoi dhe kryeministri kuptoi se situata ishte aq serioze, sa nuk linte shteg për asnjë lloj humori.
U ngrit dhe mori celularin për të folur me një nga ministrat e tij më të besuar, por gjithçka që dëgjoi ishte një zë automat që i njoftonte se numri që kishte thirrur ishte i padisponueshëm për të.
E përplasi përtokë celularin dhe u kthye nga këshilltari:

– Edi, më thuaj edhe njëherë! Si është puna, ç’ka ndodhur konkretisht?

– Zoti Kryeministër, duket se Prokuroria Speciale ka zbuluar një rrjet të gjerë korrupsioni…, ku nuk kanë kursyer asnjë njeri. As… Ju zoti Krye…

-Mjaft, mjaft! – e ndërpreu kryeministri.

U mendua për një moment dhe pastaj, me një zë të qetë dhe ironik, vazhdoi:

– Ndoshta duhet të fillojmë të emërojmë macet dhe qentë në poste ministrore. Ato të paktën nuk bëjnë korrupsion e s’marrin rryshfet.

Duke parë se këshilltari i tij nuk po qeshte, kryeministri filloi të mendonte seriozisht për planin e tij të ardhshëm dhe vazhdoi duke marrë një pamje filozofi:

– Edi, me këtë situatë që po kalojmë, kam boll materiale për t’u bërë një shkrimtar i përbotëshëm.

– Po, po. Marr guximin t’ju sugjeroj se ju, për asnjë arsye, nuk mund të mos e shfrytëzoni vetë absurditetin e gjithë kësaj situate të krijuar. Në një vend ku, falë jush, korrupsioni është bërë një normë, ju duhet ta shikoni veten si një kryepersonazh tragji-komik, i kapur mes një realiteti grotesk dhe një ironie të hidhur – i sugjeroi Edi.

Kryeministri dëgjonte me vëmendje duke përtypur çdo fjalë të Edit dhe, kur ai mbaroi, iu kthye:

– Po mor, Edi, po. Edhe kjo situatë e ka një anë të mirë. Mund të më sigurojë një pushim të gjatë, shumë të gjatë… Diçka më thotë se, do të kem kohë të mjaftueshme për kurën e vetmisë që është e domosdoshme për një shkrimtar.

Edi e shikonte i habitur, ndërsa kryeministri vijoi:

– Në fund të fundit, kush më mirë se një kryeministër i kapur në një tragji-komedi mund të shkruajë për efektin shkatërrimtar të korrupsionit? Edi, fillo të më mbledhësh historitë më qesharake nga kabineti ynë! Ndoshta do të kemi një best-seller në duar…

Edi po shikonte me një shprehje ngazëllimi të çuditshëm, ndërsa kryeministri, gjithnjë pa e humbur buzëqeshjen para pasqyrës, vazhdoi:

– Mos u shqetëso, Edi! Në burg ndoshta do të gjej më shumë frymëzim. Mos u mërzit, Edi! Gjithnjë ka një mënyrë për t’i shërbyer vendit. Të paktën do të lë të shkruar një vepër të mirë, për të qarë e për të qeshur…

_________