Ashtu si Vala News kishte paralajmëruar javë më parë se LSI dhe PD do të dalin të ndara në zgjedhjet e 25, tashmë kjo po kthehet në realitet.

Burime nga dy partitë bëjnë me dije se Basha dhe Kryemadhi nuk kanë rënë dakord për një listë të përbashkët, çka do të thotë se partitë do të dalin me logot e tyre dhe me koalicionet e tyre.

Pas ndarjes së dy partive kryesore të opozitës në zgjedhje do të kemi 4 koalicione garuese.

Koalicioni i parë është ai që udhëhiqet nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj të vegjël. PS nuk ka në fokus zgjerimin e listës së partive. Më shumë do të investohet te individët që përfaqësojnë komunitete të caktuara. Kështu, përkundër një koalicioni me partinë çame apo greke socialistët do të zgjedhin individë nga këto komunitete, por pa logo partie.

Partia kryesore që do të jetë në trenin e PS do të jetë PSD e Tom Doshit.

Koalicioni i dytë do të jetë ai i PD që nuk do të mungojnë aleatët strategjikë, si PR e Mediut, LZHK e Shehit apo PDK e Ndokës, PDIU e Idrizit si dhe PBDNJ e Dules dhe disa parti të tjera me peshë të vogël elektorale.

Në dilemë mbetet pozicionimi i Agron Dukës që kërkon vend të sigurt në listën e PD. Burime nga kjo parti bëjnë me dije se nëse nuk arrihet marrëveshja me PD do të jenë në koalicion me LSI-në e Kryemadhit.

Koalicioni i tretë do të jetë ai i LSI. Partia e familjes presidenciale për të mos humbur logon në këto zgjedhje do të dalë e vetme dhe po kërkon aleat të mundshëm nga të dy krahët. Mbetet ende e papërcaktuar nëse do ti bashkohet Partia Agrare e Agron Dukës.

Koalicioni i katërt dhe më i riu ndër të tjerë do të jetë ai i partive të opozitës parlamentare.

Burime nga këto parti bëjnë me dije se të gjithë zërat do të jenë në një koalicion duke pasur një listë të përbashkët.

Grupimi i këtij koalicioni përbëhet nga Partia e Patozit, Partia e Topallit, Partia e Murrizit, Nisma Thurje etj. Ende ngelet në dilemë pjesëmarrja e partisë së Bamir Topit.

Nga ky konfigurim shikohet një përçarje e opozitës dhe unifikim i mazhorancës, çka mund të ndodh që të avantazhojë PS-në në përllogaritjen e votave të 25 prillit.

 

Vala News