Burime Vala-News.com nga autoritetet anti-terror dhe emigracionit bëjnë me dije se ditën e sotme është dëbuar iraniani Ehsan Bidi, dezertor nga kampi i muxhahedinëve në Manzë.

Mësohet se Ehsan Bidi i ishte refuzuar leja e qëndrimit dhe deri dje është mbajtur në qendrën e mbyllur të Karecit.

Bidi, mbërriti në Shqipëri si pjesë e kontigjentit të më tepër se 2 mijë muxhahedinë nga “kampi i lirisë” në Irak.

Dëbimi i sotëm është gjysëm ilegal nëpërmjet rrugës tokësore të Kapshticës ku nuk ka munguar edhe përplasja mes autoriteteve shqiptare me ato greke.

Prej fillit të këtij viti drejtoria e anti-terrorit në Policinë e Shtetit ka kaluar në gatishmëri me afat të pacaktuar, si pasojë e rritjes së vigjilencës pas vrasjes nga SHBA të kreut të njësisë QUDS Qasem Sulejman.

Mësohet se të gjithë shtetasit e huaj nga vendet e Lindjes, i nënshtrohen një intervistimi të posaçëm si dhe skanimit të gjurmëve të gishtave dhe më pas ky informacion ndahet në kohë reale me agjenci partnere ndërkombëtare. Po ashtu është duke u treguar kujdes me të gjithë emigrantët e paligjshëm që tentojnë hyrjen në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër./Vala News