Ekuadori nuk është kthyer vetëm si “sheshi i luftës” mes bandave të narkotrafikut, por edhe si varreza e re për kontigjentet nga Shqipëria.

Një tjetër shqiptar, me origjinë nga Durrësi, është ekzekutuar në një lokal në veri të Guayaquil, kryeqendra e trafikimit të kokainës në Ekuador.

Viktima është identifikuar si Ergys Dashi, 34 vjeç, një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë, pasi edhe në Itali është cilësuar si bosi i një rrjeti të organizuar trafiku të heroinës.

Pista kryesore është lufta mes bandave rivale të trafikut të kokainës, hakmarrja, lufta për territor dhe prishja e pazarit.

Ngjarja ka ndodhur brenda një lokali në veri të Guayaquil, në një orar tepër të frekuentuar, ku kishte shumë klientë, mes tyre gra dhe fëmijë, që i shpëtuan për mrekulli vdekjes nga plumbat.

Ergys Dashi, nga Durrësi, është qëlluar nga dy persona që lëviznin me një motor dhe të maskuar me kaska, teksa ndodhej i ulur brenda në lokalin restorant për të ngrënë, ndërsa nga plumbat ka mbetur e plagosur edhe 26-vjeçarja Angie Romero, e cila ishte ulur në tavolinën ngjitur me viktimën.

Ndaj 34-vjeçarit është qëlluar 20 herë, ku disa prej plumbave e kanë kapur në kokë dhe në trup.

Autorët sipas dëshmitarëve, u rikthyen në vendngjarje për të qëlluar përsëri dhe siguruar se shqiptari kishte vdekur. Ekzekutimi ka ndodhur më 22 janar, në orën 19:00, kur dy autorët kanë hyrë brenda lokalit me synimin për të ekzekutuar Ergys Dashin, shënjestra e sulmit.

Njëri prej autorëve mbante një buqetë me lule në duar, për t’u ruajtur nga kamerat e sigurisë së barit, ndërsa tjetri ka nxjerrë armë dhe ka shtënë mbi 20 herë duke lënë të vdekur 34-vjeçarin dhe tmerruar klientët që ndodheshin brenda në atë moment.

Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar mbi 20 shenja të fishekëve. Sipas mediave në Ekuador, dyshohet se Dashi është i përfshirë në trafikun e kokainës dhe se prishja e pazareve të drogës të jetë shkak i ekzekutimit të tij nga bandat rivale./Vala-News