Ekzekutohet me armë zjarri një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shkodër dhe veriun e vendit.

Viktima është Bardhok Planaj 47 vjeç, i cili ka rënë pre e një atentati. Ai njihet edhe si “kumbari” i Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Dobraçit në qytetin e Shkodrës.

Bardhok Pllanaj është ekzekutuar në makinën e tij tip “Range Rover”. Dyshohet se makina ka qenë në lëvizje e sipër në momentin që është qëlluar me breshëri ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend. Pas të shtënave, makina ka ecur në gjendje të lirë për disa metra duke u përplasur edhe me ambientet e jashtme të një biznesi.

Ndërkohë, nga burime policore bëhet me dije se një automjet është gjetur duke u djegur pranë vendit të ngjarjes, tek “5 Heronjtë”. Dyshohet se ky mjet mund të jetë përdorur nga atentatorët.

Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policore. Në ndihmë të forcave speciale kanë shkuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Në hyrje-daljet e qytetit janë ngritur pika kontrolli.

Kush është “Kumbari i Shkodrës” që u ekzekutua sonte? Njeriu që trazoi ujërat e politikës shqiptare

47-vjeçari Bardhok Pllanaj, i cilësuar si “Kumbari” i Shkodrës është një emër i njohur për policinë.

Ai së fundmi ka qenë subjekt i OFL-së si një person i dënuar në Belgjikë për trafik të qenieve njerëzore.

Pllanaj po ashtu ka qenë edhe në gjykim në dhjetor 2018 për “pastrim parash”, ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘ndërtim pa leje’. Në vitin 2018 ai u arrestuar nga uniformat blu pasi u akuzua për ndërtimin e një pallati 10-katësh në lagjen “Dobraç”, me para të botës së krimit. Në atë kohë pallati u vu nën sekuestro. Ndërkohë më herët në vitin 2014 ai është akuzuar për trafik droge.

Pllanaj njihet edhe si njeriu që trazoi politikën dhe policinë disa vite më parë pasi rezultoi se kishte lidhje me ish-deputetin Mark Frroku. “Kumbari i Shkodrës” u fsheh në makinën e Frrokut, për t’iu shmangur arrestimit nga policia pasi Frroku, deputet në atë kohë kishte imunitet. Policia e kërkonte Pllanajn për trafik droge nga Velipoja me skaf drejt Italisë.

Në operacionin “Laguna e Vilunit” më 30 shtator 2014 ku u sekuestruan rreth 804 kg, ranë në pranga 7 persona. Droga u hodh nga trafikantët në det në vendin e quajtur Rana e Hedhun në Shëngjin pasi ata panë shërbimet e policisë. Koka e trafikut u dyshua pikërisht biznesmeni Bardhok Pllanaj, por ai u lirua nga akuzat për mungesë provash. Po ashtu, Pllanaj u arrestua në tetor të 2019 në Lushnjë, pasi kishte thyer arrestin shtëpiak.