Një tjetër shqiptar është vrarë në një atentat. Ngjarja ka shënuar në Belgjikë mbrëmjen e kaluar ku i është bërë atentat Bledar Muçës.

Ky i fundit ka mbetur i vdekur si pasojë e këtij atentati.

Muça nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, pasi konsiderohej si krahu i djathtë i Ardian e Florenc Çapja, pjesë e një grupi kriminal në Elbasan.

Kush ishte Bledar Muça, “krahu i djathtë” i Çapjave që u ekzekutua në Belgjikë

Bledar Muça, 39-vjeçari me origjinë nga Peshkopia, lindur e rritur në Elbasan që u ekzekutua në Anwerp të Belgjikës rezulton të jetë një prej emrave që ka mbushur faqet e kronikës së zezë që nga viti 2009. I njohur si krahu i djathtë i Çapjave, Muça rezulton të jetë përfshirë në shumë ngjarje kriminale, një prej tyre edhe ndaj uniformave të Policisë së Shtetit. Për herë të fundit që Bledar Muça u vu në pranga ishte në maj të vitit 2020 pasi aksidentoi një efektiv policie.

Muça është dënuar me 2 vite burgim nga gjykata e Elbasanit për goditjen me armë të dy efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale në Policisë e Shtetit, sulm i kryer gjatë detyrës së tyre, teksa po mbanin në vëzhgim situatën në lagjen e Çapjave në Elbasan.

Atentatit i qershorit 2016

Në 6 qershor të vitit 2016 Bledar Muça e Florenc Çapja ishin shënjestër e një atentati me armë në Elbasan. Në mes të ditës, në qendër të qytetit, mbi makinën me të cilën ata udhëtonin u zbrazën plumba kallashnikovi, duke u rrezikuar jeta e dhjetra personave që ndodheshin në qendër të qytetit. Ishte Shkëlzen Hasanpapaj, i veshur me uniformë ushtrie dhe që në dorë mbante një çantë kamuflazhi brenda së cilës kishte futur një automatik, ai që qëlloi dhjetëra plumba mbi automjetin tip “Golf 5”, në të cilin udhëtonte Bledar Muça dhe Florenc Çapja. Makina ishte në pronësi të Florenc Çapjas. Autori ishte përgatitur për të vrarë të dy personat që ishin në makinë Florenc Çapjan dhe kushëririn e tij, Bledar Muça, por xhami i parë i blinduar i makinës, bëri që plumbat të mos depërtonin në anën ballore të mjetit. Një breshëri e dytë në anën anësore të makinës, ka sjellë plagosjen e Bledar Muçës që ishte në vendin e parë të pasagjerit. Florenc Çapja që ndodhej në timon nuk mori asnjë plumb, ai manovroi shpejt makinën, duke e nxjerrë atë nga rruga. Nga plumbat është plagosur në këmbë rastësisht një efektive e policisë së Elbasanit që ishte duke kaluar në anën tjetër të rrugës.

Atentati i shkurtit 2016

Në të njëjtin vit, por në muajin shkurt Bledar Muça e Florenc Çapja, i shpëtuan atentatit një tjetër atentati. Në masakrën e 3 shkurtit mbetën të vrarë tre persona: Agron Çapja, Eno Bedalli dhe Ardit Sinakolli. Dy miqtë morën plagë të lehta nga breshëritë e kallashnikovit, që u qëlluan nga të paktën tre persona, në një lokal në dalje të qyteti të Elbasanit, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën.

Akuzat

Por, Muça nuk ka qenë vetëm shënjestër atentatesh. Ai është dyshuar edhe për vrasje të ndodhur gjatë viteve të fundit në Elbasan. Emri i tij është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në qytetin e Elbasanit, por që asnjëherë nuk iu provuan nga policia dhe nga prokuroria. Madje më 30 Dhjetor të vitit 2011, ai u shpall edhe në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë Ilir Rexhepi që njihej me pseudonimin “Doda”. Muça, me anë të një letre, e njoftoi policinë se nuk kishte gisht me vrasjen, pasi atë ditë ai kishte qenë në Angli. Në vitin 2013, ai u rikthye për t’u përballur me drejtësinë dhe policia e prokuroria e pushuan çështjen kundër tij.

Vrasja e “Dodës”, 2009

Mëngjesin e 22 korrikut të vitit 2009, Elbasani u trondit nga një ekzekutim. Dy persona me motor qëlluan me breshëri kallashnikovi mbi mjetin me të cilin udhëtonte Roland Rexhepi, ish-efektiv policie, që kishte punuar edhe në seksionin e anti-drogës. Ekzekutimi i tij u bë në mes të dhjetëra kalimtarëve, ndërsa polici-viktimë u tha se për shumë kohë ishte identifikuar si krahu i djathtë i ish-drejtuesit të “hekurt” të policisë Edmond Koseni. Atentatorët u zhdukën në mes të turmës duke e lënë të vdekur në makinë Roland Rexhepin, ndërsa policia arriti të shoqëronte me dhjetëra persona. Katër ditë pas atentatit, policia aso kohe njoftoi se ka arrestuar si të dyshuar për këtë krim Armando Llakajn, 31 vjeç, me precedentë të mëparshëm penal dhe Marjus Tafa. Mësohet se Llakaj ishte njeri i afërt i fisit Çapja, ndërsa viktima, më vonë do të konsiderohej edhe si kushëriri i Fadil Memës, i ekzekutuar në Torino.

Vrasja e Ilir Rexhepit, dy vite pas Rolandit

Në fund të vitit 2011 u ekzekutua me dy plumba biznesmeni Ilir Rexhepi. Viktima kishte një polici private dhe sipas policisë e prokurorisë së asaj kohe, 41-vjeçari, baba i dy fëmijëve nuk kishte asnjë precedent penal. Ekzekutimi ndodhi pikërisht në kohën kur prokuroria kërkoi 48 vjet burg për dy të dyshuarit për vrasjen e vëllait të tij në korrikun e 2009-ës. Policia kreu sërish një mori shoqërimesh dhe si përfundim për krimin u konsiderua fajtor pikërisht Bledar Muça, i cili kishte mundur të kalonte kufirin pa u prekur nga askush. Policia e shpalli në kërkim Muçën, ndërsa vuri në pranga vetëm një punonjës të policisë kufitare. Ai përgënjeshtroi gjithçka përmes një letre, por edhe ku u dorëzua, autoritetet mbyllën dosjen.