Agjencia Europiane e Barnave konfirmoi të mërkurën një lidhje të mundshme mes vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjes së gjakut te personat që e kanë marrë atë. Zbulimi, edhe pse bëhet fjalë për një numër tepër të vogël rastesh, është një pengesë në luftën globale kundër pandemisë së koronavirusit.

“Një shpjegim i pranueshëm për kumbimin e mpiksjes së gjakut dhe uljen e trombociteve të gjakut është se vijnë si reaksion i sistemit imunitar”, tha EMA.

Megjithatë, EMA shtoi se përfitimet nga vaksina e prodhuar edhe me ndihmën e Universitetit të Oksfordit janë shumë më të mëdha sesa rreziqet dhe efektet anësore. “Raportimet për mpiksjen e gjakut janë shumë të rralla dhe në të përgjithshme, përfitimet e vaksinës tejkalojnë rrezikun për efekte anësore”.

Pas konferencës së Agjencisë Europiane të Barnave, enti rregullator Europian ka vendosur se “mpiksjet e pazakonshme të gjakut” duhet të listohen si një efekt anësor “shumë i rrallë” i vaksinës AstraZeneca. Gjithashtu, është cilësuar se këto efekte anësore nuk i përkasin një gropmoshe apo seksi.

Kjo deklaratë vjen pas disa raporteve të shteteve ruropianë që raportojnë tromboza të rralla, por serioze, duke përfshirë tromboza në sinuse të cilat krijojnë rrjedhje gjaku në tru.

Për të gjitha këto arsye, për momentin, moshave nën 30 vjeç, në Mbretërinë e Bashkuar do t’i ofrohen një vaksinë tjetër, jo ajo e AstraZeneca, për shkak të riskut të trombozave në këtë fashë.

Në vazhdim, EMA ka theksuar se vaksina është e sigurt për përdorim, por puna do të vazhdojë për studimin e rasteve të rralla, të cilat janë të zakonshme në një shkallë kaq të gjerë vaksinimi dhe varen direkt nga reagimi imun i gjithsecilit.

Enti Europian gjithashtu ka theksuar faktin se efikasiteti i vaksinës AstraZeneca është i provuar tashmë dhe të dhënat tregojnë që rastet e trombozës janë një rrezik minimal kundrejt përfitimeve të jashtëzakonshme në luftën kundër COVID-19.