Emigrantët shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe akuzuan qeverinë se i ka bërë ata “koka turku” për politikën “e dështuar” të emigracionit të Britanisë së Madhe.

Daily Mail ka shkruar për disa shqiptarë që jetojnë në Londër të cilët kanë kritikuar pretendimet e Home Office se ata po “luanin” me sistemin.

Emigrantët thanë se ishin larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë, për të punuar shumë dhe për të paguar taksat rregullisht, ndërsa këmbëngulnin se nuk pretendonin përfitime dhe nuk ishin “gangsterë apo hajdutë”.

Duke folur jashtë një kafeneje në veri të Londrës, burrat pohuan se ishin viktima të racizmit dhe po shënjestroheshin qëllimisht nga qeveria britanike për të larguar vëmendjen nga trajtimi i dobët i kalimeve të emigrantëve.

Ervis Abdullaj, 39 vjeç, pronar i 01 Café Bar dhe një nga rreth 150 mijë shqiptarë që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar u shpreh se shqiptarët po largohen për një jetë më të mirë dhe nuk ka pse të ketë asnjë problem me këtë.

“Shumë njerëz kanë ardhur nga vende të tjera, por askush nuk ankohet për ta. Unë punoj pothuajse 18 orë në ditë dhe si shumë shqiptarë në Britaninë e Madhe dua të kem një jetë të mirë për veten time. Qeveria britanike thjesht po përpiqet të na fajësojë ne për problemet e saj. Nuk është faji ynë që nuk mund të bashkohet dhe të bëjë diçka për krizën e emigrantëve. Kështu që është më e lehtë t’i lidhësh të gjitha me shqiptarët,” – shtoi ai.

Bandat shqiptare në Britaninë e Madhe janë akuzuar për kontrabandën e njerëzve dhe kontrollin e pjesëve të mëdha të tregjeve të marijuanës dhe kokainës në vend.

Dritan Doda, 49 vjeç, i cili drejton një kompani ndërtimi tha se shqiptarët nuk përbëjnë të vetmin komunitet të përfshirë në tregti droge.

“Kam 25 vjet që jam në Britani dhe nuk e di pse tani fajësohen shqiptarët për gjithçka. Ne jemi një komunitet i vogël në Mbretërinë e Bashkuar, por aktualisht jemi duke u fajësuar për të gjitha problemet e mëdha. Është racizëm për mendimin tim sepse është më e lehtë për Qeverinë të na fajësojë ne sesa të marrë përgjegjësi,” – u shpreh ai.

Ndërtuesi Ermond Dena, 50 vjeç, i cili ka qenë në Britani për 10 vitet e fundit u intervistua gjithashtu dhe tha se shumë komunitete kanë kriminelë dhe tregtarë droge. Për të nuk ka asnjë arsye pse të fokusohemi vetëm te Shqipëria.