Katër persona janë arrestuar nga Prokuroria e Tiranës për publikimin e rrogave dhe të dhënave personale të mbi 650 mijë qytetarëve shqiptarë.

Në pranga kanë rënë dy specialistë të IT të punësuar te AKSHI dhe që ushtrojnë detyrën në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Të arrestuar janë edhe dy punonjës të bizneseve private që blenë të dhënat personale që ua shitën dy specialistët e IT.

Të arrestuarit janë Eni Qirjako dhe Andi Agaraj 31 vjeç nga Patosi specialistë të IT, si dhe Klodian Sota dhe Endri Ikonomi punonjës të subjekteve private.

Specialisti i IT, Andi Agaraj 31 vjeç nga Patosi, sipas të dhënave të publikuara, rezulton i punësuar tek AKSHI me pagë 102.520 mijë Lekë të reja, si specialist i nivelit të lartë.

Specialistja e IT, Eni Qirjako 24 vjeç nga Vlora, sipas të dhënave të publikuara, rezulton e punësuar tek AKSHI me pagë 102.560 mijë Lekë të reja, si specialiste e nivelit të lartë.

Klodian Sota 43 vjeç nga Lushnja rezulton të jetë administrator i firmës private “Smart Collection” në Tiranë, një zyrë përmbaruese private. Sipas të dhënave që kanë rrjedhur në media, rezulton të jetë administrator te firma private përmbaruese “Smart Collection” me pagesë 40 mijë Lekë të reja në muaj.

Sipas hetimit të Prokurorisë së Tiranës, Andi Agaraj rezulton që t’i ketë shitur Endri Ikonomit kundrejt shpërblimit 200-300 mijë Lekë të vjetra të dhënat personale të qytetarëve.