Kjo e shtunë në Turqi është heshtje zgjedhore, përpara zgjedhjeve të dyfishta, presidenciale dhe parlamentare të 14 Majit kur për të votuar janë thirrur gati 61 milionë persona.

Në përmbyllje të fushatës elektorale, të Premten, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan shprehu besimin se turqit do ta rizgjedhin të Dielën për një mandat të dytë.

Por duke njohur rezultatet e sondazheve që parashikojnë fundin e dominimit të tij politik në vend, Erdogan tha në një intervistë televizive të transmetuar drejtpërdrejt në disa televizione të Turqisë se do të respektojë çfarëdolloj rezultati.

Rivali i tij republikan që renditet në krye të sondazheve, Kemal Kiliçdarollu u shfaq me veshje antiplumb në një nga tubimet e fundit elektorale në qytetin verior Samsun.

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se burime pranë stafit të tij të sigurisë e detyruan të mbante veshje anti-plumb pasi kishin të dhëna se atij mund ti ishte përgatitur një atentat. Po ashtu, truprojat e tij ishin të armatosur.

Më herët, Kiliçdarollu akuzoi Moskën se po përhap lajme të rreme, për të mbështetur fitoren e presidentit Erdogan. Por Kremlini i hodhi poshtë këto deklarata si mashtrime të pastra.