Tension mes Italisë dhe Turqisë. Kryeministri italian Mario Draghi akuzoi presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan se poshtëroi Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen këtë javë. Draghi përdori fjalë shumë të ashpra kundër udhëheqësit turk, duke e cilësuar edhe diktator.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan priti të martën në Ankara Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel. Por mungesa e një karrigeje për të dhe ulja e saj në një divan ngjalli polemika të shumta.

“Unë absolutisht nuk jam dakord me Erdoganin, mendoj se nuk ishte një sjellje e përshtatshme. Më erdhi shumë keq për poshtërimin që Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen duhej të vuante.

Me këta diktatorë, le t’i thërrasim për atë që janë gjë që është e nevojshme, megjithatë, duhet të jemi të sinqertë në shprehjen e larmisë së pikëpamjeve dhe vizioneve të shoqërisë; dhe gjithashtu duhet të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të siguruar interesat e vendit. Duhet të gjesh ekuilibrin e duhur“, tha kryeministri italian.

Fill pas kësaj deklarate, Ministria e Jashtme turke i bëri thirrje ambasadorit italian në Ankara lidhur me deklaratën e Draghit, ndërkohë që ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu kritikoi ashpër deklaratën.

“Ne dënojmë me forcë fjalimin e papranueshëm, populist të kryeministrit italian dhe komentet e tij të shëmtuara në lidhje me presidentin tonë”, shkroi Cavusoglu në Twitter.

Më parë të enjten, Cavusoglu tha se Presidenti Rexhep Tajip Erdogan priti Shefen e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në përputhje me “kërkesat dhe propozimet e Bashkimit Evropian” dhe hodhi poshtë  kritikat se Ankaraja kishte poshtëruar udhëheqësen e BE.