Numri i të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë ka pësuar një rritje të madhe. Ky fakt ka ndikuar shumë edhe në psikologjinë e qytetarëve, të cilët jetojnë me frikën e humbjes së vendit të punës apo të familjarëve. Këtë gjendje të rënduar e ka konfirmuar edhe psikologia Almeida Xhaferri.

“Ne kemi ndjerë që njerëzit po jetojnë në një nivel më të lartë të ankthit. Për arsye se po jetojnë me idenë që do humbin vendin e punës, do humbin një anëtarë të familjes apo mendojnë se shëndetësia është në kolaps. Kjo ka bërë që të rëndohen nga ana emocionale”, tha ajo.

Nga ana tjetër, mjeku Dritan Ulqinaku është shprehur: “Nuk është puna ta mbajmë maskën nga frika e policit, por në mënyrë korrekte. Nuk e mbajmë maskën si duhet, jemi gjithë kohën në kafe, nuk respektojmë distancën. Është sjellja jonë që na parandalon Covidin”.

Gjithashtu në një lidhje me skype nga Australia, doktoresha Miranda Shehu Xhilaga ka deklaruar se qytetarët duhet të tregohen më optimistë, pasi vetëm 14% e të infektuarve kalojnë në gjendje të hospitalizuar, ndërsa pjesa tjetër e kalojnë covidin lehtë.

“Ka 60 ditë që nuk kemi asnjë infeksion, asnjë vdekje në Australi. Tani jemi në pranverë. Teoria se virusi largohet me rritjen e temperaturave, ka rënë plotësisht. Pasi thuhet se temperaturat nuk influencojnë. Jemi në një situatë ku maskat nuk do të hiqen derisa të zhduket virusi.

Një arsye shumë e rëndësishëm pse nuk duhet të ketë panik dhe ankth është se vetëm 14% e njerëzve e kalojnë me probleme, ndërsa të tjerët e kalojnë në gjendje të lehtë. Vetëm 14% paraqiten me sindromën pleumonare, të tjerët nuk do të shtrohen në spital”, tha ajo per Abc News.