Pak struktura të ndërtuara nga njeriu janë më të mëdha sesa anijet moderne turistike, por edhe gjigantët e udhëtimeve ndonjëherë kanë nevojë për një dorë për të hyrë në port.

Por çfarë mund të bësh nëse ke mbetur në mes të detit, me një anije të stërmadhe, që nuk lëviz dot? Në ndihmë të vjen anija “rimorkio”, ose më saktë një mjet lundrues gjysmë-nëndetëse. I tillë është edhe Boka Vanguard, një anije gjigante e ndërtuar në vitin 2012. E gjatë 275 metra ajo është anija më e madhe e këtij lloji.

Zakonisht, këto anije transportojnë nga porti në det të hapur strukturat e mëdha të kërkimit të gazit ose naftës, por me raste mbajnë edhe anije të tjera, që kanë vështirësi në lëvizje.

I tillë ishte rasti i anijes Carnival Vista, një kroçerë luksoze me kapacitet për 4000 pasagjerë dhe 1500 anëtarë të ekuipazhit, e cila në vitin 2019 pati probleme funksionimi në Detin e Karaibeve. Në raste të tillë vinçat e kanë të vështirë të ngrenë peshë një anije që peshon më shumë se 133 mijë tonë, prandaj zgjidhja perfekte është ky mjet lundrues që përdor një “taktikë” tjetër.

Anija “rimorkio” zhytet pjesërisht nën ujë, duke shfrytëzuar edhe formën sesi është konceptuar dhe ndërtuar, dhe anija që ka nevojë për ndihmë mund të rrëshqasë mbi të. Pasi ngarkesa është siguruar në bord, atëherë anija ridel plotësisht në sipërfaqe dhe nis udhëtimin drejt destinacionit të sigurt.

“Ne thjesht përfitojmë nga ligji i Arkimedit për të ngritur peshë ngarkesa të stërmëdha”, tha Michel Sij, menaxher i përgjithshëm i inxhinierisë në Boskalis, kompanisë holandeze që ka në pronësi Boka Vanguard. Sipas këtij ligji, pesha e çdo trupi të zhytur në lëngje është e barabartë me peshën e lëngut që ai trup zhvendos. Pasi bëri këtë zbulim, dijetari i Lashtësisë bërtiti “Eureka!”.