Janë më shumë se 400 000 vdekjet në Evropë për shkak të koronavirusit. Shifra del nga një llogaritje që ka bërë AFP mbi raportet e siguruara nga autoritetet shëndetësore.

Europa është zona e dytë më e prekur në botë nga pandemia me 400 649 vdekje në total (për 17 606 370 infeksione), pas Amerikës Latine dhe Karaibeve (444 026 vdekje, 12 825 500 raste). Gjatë shtatë ditëve të fundit janë regjistruar më shumë se 36 000 vdekje, numri më i madh në një javë që nga fillimi i pandemisë.

Pesë shtetet që kanë raportuar më së shumti vdekje janë: Mbretëria e Bashkuar (mbi 57 mijë), Italia (mbi 53 mijë), Franca (mbi 51 mijë), Spanja (mbi 44 mijë), dhe Rusia (mbi 39 mijë).

Përgjatë Atlantikut, Shtetet e Bashkuara kanë prekur shifrën e 4 milionë të prekurve me koronavirus në muajin nëntor, më shumë se dyfish në krahasim me shifrat e muajit tetor. Teksa virusi vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara, vdekjet janë duke arritur në 1,500 në baza ditore.

Fundjavë protestash dhe dhune

Fundjavë protestash dhe dhune kjo për mbarë Europën. Londinezët dolën rrugëve të kryeqytetit britanik duke kundërshtuar masat e ashpra të karantinës dhe planeve të qeverisë për vaksinimin masiv. Mes protestuesve dhe policisë pati edhe momente konfrontimesh.

Duke u nisur nga teoritë konspirative, qindra manifestues akuzuan qeverinë se me masat bllokuese synon t’u heqë liritë dhe të drejtat qytetarëve britanike.

Mbi 20 milionë britanikë po vuajnë pasojat e masave bllokuese kundër COVID-19 në gjithë vendin. Pa maska dhe mjete mbrojtëse, qindra protestues polakë kaluan kufirin me Gjermaninë, për t’iu bashkuar manifestuesve gjermanë në qytetin lindor të Frankfurt, po ashtu për të kundërshtuar masat bllokuese kundër frenimit të përhapjes së COVID-19.

Kulmi i dhunës u arrit në Paris, jo kundër masave të karantinës, por kundër racizmit.

Duke marrë shkas nga dhuna policore e 21 nëntorit ndaj një producenti me origjinë afrikane, mijëra mbështetës të së majtës radikale protestuan kundër nismës për ligjin e ri të sigurisë të ndërmarrë nga presidenti Macron, që sipas kundërshtarëve do të kufizojë lirinë e shprehjes në media.