Lëvizja Vetëvendosje, e cila sipas Exit-polleve pas mbylljes së vendvotimeve del parti fituese e zgjedhjeve të sotme, ka nisur festimin para selisë së saj në Prishtinë.

Menjëherë pasi ora shënoi 19:00, kur edhe mbyllen vendvotimet, para selisë së kësaj partie janë hedhur fishekzjarrë.

Instituti PIPOS ka publikuar të dhënat nga sondazhi i kryer sot. Sipas këtij instituti Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 41,8%, PDK me 16,5%, LDK 15,2%, AAK 7,2% dhe Nisma 2,6%.

Sipas kësaj përqindje, PIPOS ka nxjerr edhe numrin e vendeve që do të kenë partitë politike. Është LVV që do të ketë 52 deputetë, PDK 20, LDK 19, AAK 9, dhe komunitetet 20 deputetë.

Zgjedhjet e teta parlamentare

Kosova ka votuar sot për Parlamentin e ri. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe janë mbyllur rreth orës 19:00. Lista zgjedhore përmban rreth 1.8 milionë votues, rreth 143 mijë më pak se në zgjedhjet e tetorit të 2019.

Këto janë zgjedhjet e teta parlamentare që prej vitit 1999 që mbahen në Kosovë. KQZ ka deklaruar se në këto zgjedhje do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës. Kjo ka bërë që rreth 122 mijë votues, të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuara nga UNMIK-u të hiqen nga listat.

KQZ: Pjesëmarrja 46,7%

Pas mbylljes së orarit zyrtar të votimeve në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se pjesëmarrja ishte në nivelin 46,32%, një përqindje më e lartë se e vitit 2019.

Në Prishtinë, pjesëmarrja raportohet të jetë 58,58%, në Prizren pjesëmarrja ishte 39,6%, në Pejë, 44,5%. Në Mitrovicë, pjesëmarrja ishte 47,39%, në Leposaviq, 85,47%, në Zveçan, 81,47%, në Zubin Potok, 79,47%.