Policia e Vlorës finalizoi me sukses operacionin e koduar “Himara” për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve, në fund të së cilit u vunë në pranga 6 persona, 3 të tjerë u shpallën në kërkim, ndërsa për një person u dha masa detyrim paraqitje.

Këta shtetas, në periudha të ndryshme kohore, dyshohen se nëpërmjet falsifikimit të dokumentave, vulave, stampave e formularëve, kanë tjetërsuar dhe përfituar sipërfaqe të konsiderueshme toke, në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, të cilën më pas e kanë kaluar në pronësi të tyre, ose shitur tek persona të tjerë, duke përfituar shuma të konsiderueshme të hollash.

Në fund të operacionit u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit Vasillaq Strakosha, 67 vjeç, banues në Vlorë; Edmond  Marko, 51 vjeç, Pandeli Prifti, 42 vjeç, Zaho  Bollano, 58 vjeç nga Himara, Aleks  Bifsha, 64 vjeç, banues në Vlorë; Elton  Marko, 41 vjeç, banues në Himarë, i cili ndodhet aktualisht në IEVP Vlorë, i arrestuar më parë, për një tjetër vepër penale.

Gjithashtu u ekzekutua masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim dalje jashtë shtetit”, për Irakli  Gjiçalin, 68 vjeç, banues në Himarë. Po kështu u bë shpallja në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve M. S., 68 vjeç, A. K., 64 vjeç, K. DH., 68 vjeç, banues në Himarë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.