Kompanitë fasone janë nën frikën e mbylljes totale të Europës për shkak të rasteve në rritje të personave me koronavirus.

Aktualisht sipas burimeve nga subjekte të ndryshme, fabrikat e Italisë do të mbyllen për një muaj.

Florian Zekja nga Pro Export Albania thotë se situata është e vështirë.

“Ne tashmë e kishim parashikuar përkeqësimin e situatës që do të niste në fundshtator edhe pa mbylljen apo kufizimet në Europë. Moda është në situatë të vështirë, por me mbylljen dhe kufizimet e reja, situata rëndohet dy-fish. Ne partnerët tanë tregtarë I kemi në Europë. Me tkurrjen e punës së maksimum, edhe ne do të marrim masa duke shkarkuar punonjësit”, thotë Zekja.

Prandaj, fasonët kanë propozuar grante të shtuar dhe fonde për kapital që të ndërtohen fabrika “made in Albania” që të mos ndikohet puna nga porositë e partnerëve të huaj.

Lehtësi proceduriale dhe mbështetje për sipërmarrjet

Qeveria, nëpërmjet drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, u tha këtë të premte sipërmarrjeve fasone se do të lehtësohen procedurat doganore, si dhe do të shkurtohet koha e pritjes së tyre në pikat kufitare.

Sipërmarrësit mund të aplikojnë edhe për statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar, si një “pasaportë” që këto biznese përfitojnë në tregjet globale.

Aktualisht në vend ushtrojnë këtë lloj aktiviteti mbi 700 subjekte. Regjimi i Përpunimit Aktiv ka në thelb eksportimin e punës, teknologjisë dhe faktorëve të tjerë ekonomike që në mënyrë direkte bëjnë transformim të thjeshtë apo përfundimtar në mallra të gatshëm, për t’u përdorur si produkte në operacione të tjera përpunimi, montimi, apo për konsum.

Qeveria ka vendosur të vijojë me kreditë përmes garancive sovrane të targetuara sipas sektorëve.