Çelja e aplikimeve për skemën kombëtare mbështetëse të fermerëve, blegtorëve e bletarëve që është hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe që kap vlerën e 3.3 miliardë lekëve, të cilat do të shpërndahen nëpërmjet subvencioneve për naftën, ka krijuar radhë të gjata në Drejtorinë e Bujqësisë Berat.

Dhjetëra fermerë nga i gjithë qarku i Beratit janë dyndur pranë zyrave të kësaj drejtorie, duke pritur për të dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për përfitimin e naftës.

Sipas fermerëve, radhët e gjata janë krijuar që prej mëngjesit, ndërsa pohojnë se kanë disa orë në pritje deri në dorëzimin e dokumentacionit. Situata e krijuar sipas tyre nuk është normale, sidomos për moshat e treta që kanë probleme të shumta shëndetësore.

Edhe pse aplikimet për skemën mbështetëse të fermerëve kanë nisur që në fillim të kësaj jave, radhët vijojnë të jenë të gjatë edhe sot në ditën e pestë të aplikimeve, ndërkohë që shumica e aplikantëve janë konfuzë për mënyrën e aplikimit online.

Fermerët shprehen se shumë prej tyre, sidomos moshat e treta nuk mund ta kryejnë këtë proces online pasi nuk janë të informuar për risitë teknologjike dhe ndaj mundësinë e vetme kanë paraqitjen fizikisht pranë kësaj drejtorie ose duke paguar sekserë.

Përveç vështirësive për të aplikuar online përmes e-Albania, fermerët tregojnë se mungesa e internetit dhe rënia e sistemit janë bërë të zakonshme, ndaj krijohen edhe dyndje e radhë të gjata për të aplikuar.

Femerët pohojnë se ata kanë aplikuar edhe vitet e mëparshme, por nuk kanë përfituar asgjë, edhe pse i plotësonin të gjitha kriteret e kërkuara. Sipas tyre, ata kanë ardhur këtë vit me një gjysmë shprese se mbase përfitojnë, edhe pse nuk kanë përfituar asnjëherë më parë.

Fermerët kanë afat të aplikojnë në Drejtorinë e Bujqësisë Berat dhe online në portalin e-Albania për mbështetje në Skemën Kombëtare 2023 deri në datën 11 prill të këtij viti.