Ish-piloti i Ferrarit, Sebastian Fetel, ka folur së fundi për një të përditshme gjermane dhe është fokusuar tek aksidenti i frikshëm i Roman Grosjean. Fetel ka dashur të vërë në dukje faktin se sa i rrezikshëm është sporti që ai dhe pilotët e tjerë ushtrojnë.

“Se si Grosjean arriti të mbijetojë thuajse pa marrë lëndime në atë incident, për mua është ende një mister. Që Roman është ende gjallë, për mendimin tim është momenti i vitit në F.1”, – është shprehur Sebastian Fetel në një rubrikë dedikuar për të nga e përditrshmja “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Episodi që ai veçon ka mbetur vërtet në memorien e të gjithëve.

Sebastian Fetel

Ato sekonda dukeshin të pafundme në Bahrein, teksa piloti francez po dilte nga makina e tij Haas e përfshirë nga flakët. Ai shpëtoi, sepse reagoi me shpejtësi ndaj ndihmës teknike që iu dhe dhe falë sigurisë që ofron uniforma që kishte veshur. Makina e Grosjean u përplas me barrierat dhe u nda në dysh, por piloti francez ia doli për mrekuli të shpëtojë. Një mrekulli që në fund të viteve ‘90 do të ishte shndërruar në tragjedi.

Fetel, 4 herë kampion bote me Red Bull, shpjegon se si nuk ishte në gjendje të shihte pamjet e incidentit. “Xhiron pas aksidentit mora lajmin se Roman kishte dalë nga flakët. Kjo ishte më e rëndësishmja, ndaj dhe vendosa të mos i shihja më pamjet që po transmetohehsin në monitor. Më mirë kështu, hipa sërish në makinën time pa probleme. Atë çfarë kishte ndodhur e mësova të dielën në mbrëmje, pas garës”, – përfundon piloti gjerman.