Ndriçim Jonuzi, autori i dyshuar i plagosjes me armë të sekretarit të PD-së në Kavajë mbrëmjen e së hënës, ka folur nga arratia.

Nëpërmjet një video-regjistrimi, Ndriçim Jonuzi thotë se plagosja nuk ka ndodhur për motive politike.

Ai shprehet se nuk është militant i Partisë Socialiste, madje deklaroi se “ka bërë shumë sakrifica për PD-në”.

“Po e bëj këtë video për të sqaruar vëllezërit e mi myslimanë që të rrinë të qetë se as nuk e kam ndër mend të merrem me politikë, as sot e moti. Më kanë thënë që Lulzim Basha, kryetar i PD-së, më ka cilësuar si socialist dhe nuk më vjen mirë fare, me mi humb të gjitha ato sakrifica të jetës time për PD-në. Vetëm për të shfrytëzuar këtë rast për fushatë tani, megjithatë e dinë vetë. Por normalisht, çdo njeri duhet të flasë për të pastruar veten e vetë. Është dashur të flasin përpara me të gjithë të PD-së së vjetër, jam apo nuk jam unë socialist. Për mendimin tim duhet të pyesnit përpara. Ai lokali aty tek unë ka ndenjur 30 ditë hapur për çunat e PD-së, njëherë me shprenzimet e mia, njëherë me krahët e mia. Ishte rreziku që çfarëdo që bënin çunat, vinin rrinin gjithë natën aty dhe nuk i ka gjet asnjë e keqe për aq sa kanë ndejtur tek unë. Unë kam bërë shumë më tepër sakrifica për PD-në, por nuk e shoh të udhës të flas këtu në këtë video. Kryesisht e kam për vëllezërit e mi që të rrinë të qetë, se Çim Jonuzi apo Tahiri, ta dinë mirë këta që më quajnë socialist, që edhe këto dy mbiemra i kam sepse xhaxhai i tim ati ka qenë arrestuar nga ambasada ruse. Të gjithë demokratët e vjetër më njohin mirë”.

Ndër të tjera, Jonuzi ka përmendur edhe sulmin me thikë një ditë më parë që ndodhi në xhaminë tek rruga e Kavajës në Tiranë ku u plagosën 5 besimtarë, ngjarje të cilat nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Më tej, ai sqaron se si ka ndodhur ngjarja: “Nuk jam krenar për atë që kam bërë. Si besimtar, Zoti të më fali. S’ka lidhje fare me punë politike. Ka lidhje… dje ndodhi ajo aq ndodhi te xhamia “Dine Hoxha” dhe ne na djeg pasi i frekuentojmë vetë xhamitë. Na kujtohet edhe ajo e Zelandës së Re dhe ajo mërzia dje ishte brenda.

Kur shoh këtë mistrecin dhe del në mes të rrugës, i zë rrugën, Mirë Gjoci dhe kishte të ëmën e tij me shami në kokë, dalin dy horra duke bërë si të fortë, pa i njohur njerëzit. I kam folur, hape rrugën se ke një nënë me shami. Këto tipat që hapen, s’i kam duruar dot kurrë. Më vjen keq për të ëmën e tij.

S’më intereson më asnjë lloj partie, janë të gjitha njësoj, kujtohen për ne njëherë në katër vjet kur kanë hall dhe miqësitë e ortakësit i bëjnë me njëri-tjetrin”.

Për këtë ngjarje janë të shpallur në kërkim edhe Markel Shtylla e Dorian Troplini.

Sekretari i PD-së në Kavajë, Bledar Okshtuni, u plagos me armë zjarri në këmbë brenda zyrës elektorale të demokratëve.

Sipas policisë, Dorian Troplini 29 vjeç dhe Markel Shtylla 29 vjeç goditën fillimisht me grushte sekretarin e PD, ndërsa Ndriçim Jonuzi e qëlloi me armë në këmbë.