Shqipëria dhe Kosova janë renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shtetet më të varfra të Evropës në vitin 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.

PBB për frymë bazuar në barazinë e fuqisë blerëse (PPP), është produkti i brendshëm bruto i konvertuar në dollarë ndërkombëtarë duke përdorur normat e barazisë së fuqisë blerëse.

Një dollar ndërkombëtar ka të njëjtën fuqi blerëse mbi PBB-në si dollari amerikan në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave të përditësuara të FMN-së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, dhe të përpunuara nga “Monitor”, Shqipëria renditet e parafundit në Evropë me të ardhurat për frymë prej 19 mijë dollarë ndërkombëtar.

Pas Shqipërisë renditet Kosova, që e ka këtë tregues akoma dhe më të ulët, në 15.6 mijë dollarë ndërkombëtarë.